Filomena Lamberti, kur jeta e shkatërruar e një gruaje vlen vetëm 15 muaj burg

91

“Sot jam më në fund një grua e lirë, por askush

nuk pagoi për këtë krim të tmerrshëm ndaj meje”

Filomena ishte vetëm 16 vjeç kur gjatë një mbrëmjeje kërcimi në qytetin e Salernos me një grup miqsh u njoh me një burrë pak më të madh në moshë, Vitorion. Kur kaloi periudha e lumtur midis tyre ajo kuptoi se i fejuari kishte probleme me alkoolin. Dëshironte ta ndihmonte atë dhe ishte e bindur se do t’ia dilte. Por kjo pavarësi nxorri në pah anën e errët dhe të dhunshme që kishte i fejuari brenda vetes.

30 vjet e burgosur, duke jetuar nën privimet e imponuara të Vitorios. Por pas shumë vitesh nënshtrimi në dhjetor 2011 ajo vendosi ti kërkonte bashkëshortit divorcin por jo derisa të lindte djali i tyre. Në 28 maj 2012 jeta e kësaj gruaje ndryshoi përgjithmonë. Vitorio mori nga dyqani i peshkut ku punonte acid klorhidrik dhe e hodhi acidin në fytyrën e saj ndërkohë që ajo ishte ende në gjumë. Gjeti mënyrën për ta ndëshkuar, e shpërfytyroi përgjithmonë. Por pas 15 muajsh ai ishte përsëri një njeri i lirë, dhe sot punon ende në të njëjtin dyqan peshku sepse nuk u dënua kurrë.

Por si ndihet Filomena?

Jam mirë sepse jam ende gjallë por megjithatë dëmi është bërë dhe do të mbetet përgjithmonë.

Si është sot jeta e saj?

Shkoj në shkollë për të biseduar me djemtë dhe vajzat. Mendoj se mesazhi duhet të arrijë tek të rinjtë. Une e them gjithmonë se ata janë e ardhmja. Gratë e maturuara shpeshherë mësohen me dhunën ndaj tyre për shkak të kushteve ekonomike ose prej fëmijëve të tyre. Duhet të investojmë për gjeneratën e re.

Historitë e dhunës janë aktuale edhe tek të rinjtë?

Absolutisht që po. Të shtunën e kaluar ndodhesha në një lice këtu në Salerno ku ishin rreth 600 të rinj dhe një prej tyre, viktimë e dhunës pranoi që ta ndihmonin. Kontaktuam avokatë dhe psikologë. Unë pas asaj që më ndodhi, përpiqem ti bëj ata të kuptojnë se duhet të ndjekim fillimisht logjikën e më pas zemrën.

Sot ju keni tre fëmijë të rritur. Si sillej me ta?

Mosha e tyre është nga 28 deri 33 vjeç. Përpiqesha gjithmonë të mos qaja para tyre por isha e gabuar sepse nëse ata do të mësoheshin me këtë dhunë do ta transmetonin tek vetja e tyre.

Kishit frikë se do të ndodhte diçka e tillë?

Po sepse 90% e burrave të dhunshëm vijnë nga familje të dhunshme. Unë jam me fat sepse fëmijët e mi kanë reaguar kundër dhunës.

Filomena, në ditën e martesës

Kur u njohët burri juaj ishte i varur prej alkoolit. Kur filluan momentet e dhunës ndaj jush?

Gjatë fejesës më ndalonte të bëja shumë gjëra e madje edhe kur më gjuante me shpullë ishte tepër i zoti për të marrë faljen time. Ndaj unë ecja gjithmonë me shpresën se ndoshta kjo ishte hera e fundit që më dhunonte.

Ishte i dhunshëm edhe kur ju ishit shtatzanë me fëmijën e parë.

Po, as shtatëzania ime nuk e ndaloi. Ditën që më rrahu natën e parë të martesës ishte tepër i dehur me alkool

Nuk kishit guxim të flisnit me dikë për situatën të cilën po përjetonit?

Jo, sepse një burrë i dhunshëm të izolon nga të gjithë dhe ti nuk mund të kërkosh ndihmën e dikujt. Madje, shpeshherë janë njerëzit ata që largohen nga ti.

A kishin dijeni për këtë situatë njerëz të tjerë por nuk u ndihmuan kurrë?

Fqinjët kishin dijeni për gjithçka ndodhte në familjen tonë por nuk kishin asnjë interes. Askush nuk bëri kurrë diçka, sikur edhe një telefonatë në polici. Indiferentizmi i vret njerëzit dhe duhet vepruar përpara se të jetë tepër vonë.

Çfarë u bëri të ndryshonit qëndrim në jetën tuaj?

Momenti kur djali im pati një debat të fortë me të atin. Tek ai kam gjetur një krah ku mund të mbështetem.

Sa operacione duhej të kryenit pas sulmit me acid?

30, të fundit e kam kryer para dy vitesh. Ndalova sepse jam e lodhur, e lodhur nga hyrjet dhe daljet në sallat e operacionit

Përveç pamjes së jashtme, a pati pasoja të tjera nga ky sulm?

Sigurisht. Herën e parë që kam dalë para pasqyrës nuk arrija ta imagjinoja dëmin e madh që më kishte shkaktuar ky sulm. Nuk e njihja më veten time dhe pata disa momente depresioni të cilat mendoj se ishin normale në atë rast.

Ku e gjetët forcën për të reaguar?

Unë i thoja vetes se nëse isha ende gjallë, duhet të vazhdoja përpara. Diçka tjetër që i thoja vetes ishte se pavarësisht se fytyra ime u dëmtua më në fund isha një grua e lirë.

Si përfundim, arritët të kishit mbështetje dhe nga të tjerë njerëz?

Po, njoha disa gra në Salerno te cilat më ndihmuan shumë psikologjikisht. Ishin shpëtimi im në një moment tepër kritik sepse vetëm nuk mund të rikuperohesh asnjëherë.

Flasim pak për dënimin e ish burrit tuaj?

Ishte një proçes skandaloz ose një situatë e dytë dhune ndaj meje. Avokatja ime ishte e paaftë si edhe gjykatësi. Dhe mbi të gjitha askush nuk kishte guximin të më shihte. Dënimi u ul në 15 muaj por ai nuk e kreu kurrë.

Ju nuk u thirrët kurrë për të dëshmuar.

Jo, sepse ndodhesha ende në spital në gjendje kritike kur gjyqi u mbyll në 25 qershor, proçes ky më i ngadalti në historinë e magjistraturës italiane.

Si është e mundur që ish burri juaj nuk u akuzua për tentativë vrasjeje?

Askush nuk më shikonte e madje as avokatja ime e paaftë. Ajo nuk u paraqit kurrë për të fotografuar fytyrën time e nuk u paraqit kurrë as në spital.

Sot nuk keni frikë që ish burri juaj është i lirë?

Jo absolutisht. Ai arriti të realizonte atë që donte. Nëse do të dëshironte të më vriste do e kishte bërë.

Ai nuk shfaqi kurrë shenja pendese.

E prisja këtë. Si mund të pendohet një njeri si ai? Si mund të pendohet një njeri që më hodhi acid në fytyrë kur duhej të më mbronte gjithmonë?

A kanë lidhje sot fëmijët tuaj me babain e tyre?

Jo. Thjesht kur përballen në rrugë përshëndeten por nuk takohen kurrë.

Ai nuk mundet t’iu kompesojë. Me çfarë të ardhurash jeton?

Nuk më ka paguar asnjë qindarkë të vetme. Për fat të mirë sigurova disa të ardhura minimale prej 285 eurosh në muaj.

A ka probleme trupi juaj?

Po, krahu im i majtë nuk funksionon mirë. Me shikimin kam probleme dhe nuk jam e aftë të punoj.

Çfarë qëllimesh keni sot?

Po përpiqemi ta çojmë këtë çështje në Strasburg tek Gjykata për Mbrojtjen e Të Drejtave Të Njeriut. Duhen shumë para por të shohim si do ta zgjidhim. Për drejtësinë dikush duhet të paguajë.

 

Përshtati në shqip Emi Bibolli