Erisa, fituesja e bursës Google: Gjinia nuk ndikon tek suksesi

168

Erisa Terolli, vajza nga Pogradeci që ndoqi ëndrrën e saj në shkencat kompjuterike.

Kur e takova Erisa Terollin për herë të parë, as që e kisha idenë që ajo vajza shtatvogël e pak topolake mund ishte një gjeni në shkencat kompjuterike. Ishte 2015-a dhe ajo sapo kishte fituar një çmim nga ICT Awards si Femra e Vitit në ICT (Teknologjia e informacionit dhe komunikimit). Ishte kolegu im Florian Serjani që ma prezantoi duke vënë në dukje se Erisa kishte fituar një bursë nga gjigandi i kërkimit Google. Që aty, mendova se duhej patjetër të mësoja më shumë për të.

Vajza nga Pogradeci që në vogëli kishte pasion për matematikën ishte fituese e Google Anita Borg Fellowship, një bursë që jepet nga Google për vajzat dhe gratë në fushën ICT në nder të Anita Borg, një shkencëtare me emër në shkencat kompjuterike. Por jo vetëm kaq, Erisa e ka çuar përtej personales, duke sjellë Google në Shqipëri nëpërmjet një evenimenti që organizoi në Tiranë vitin e kaluar, çka ngjalli mjaft interes nga gjiganti global i kërkimit.

“Jam një ndër fitueset e Google Anita Borg Fellowship, një burse që jepet nga gjigandi Google për femrat në ICT në nder të Anita Borg, një shkencetare me emer në Shkencat Kompiuterike e cila themeloi Institutin për Femrat dhe Teknologjinë (Institute for Women and Technology) si dhe Grace Hopper Celebration of Women in Computing për të inspiruar dhe sherbyer si iniciativë frymezuese per rritjen e pjesëmarrjen e femrave në ICT. Kjo sipërmarrje u vazhdua më tej nga Google pas ndarjes së parakohshme nga jeta të Anita Borg, dhe rrjedhimisht është shndërruar në një event kyç që nxit shumë vajza të reja për tu bërë pjesë e fushës së ICT. Në të njëjtin vit me mua, çmimi i është dhënë dhe një tjetër vajze shqiptare që ndjek studimet jashtë. Gjithashtu jam e lumtur t’iu them se evenimenti që organizova në Tirane në bashkepunim me Google, solli interesim të madh nga vajzat që studiojnë shkencat kompiuterike, inxhinieri kompiuterike dhe informatikë në universitetet shqiptare, nga ku në vitin 2017, njëra prej tyre u përzgjodh si fituese e Google Anita Borg Felloëship, një rezultat ky qe më ka frymëzuar më tepër për të kontribuar më tej në këtë aspekt. Së fundi, në 2018 janë dy vajza shqiptare qe ju bashkengjiten listës së shqiptarëve që vleresohen me këtë bursë”-thotë Erisa për AFM.

Aktualisht, ajo po vazhdon post-doktoraturën në Institutin e Informatikës “Max Planck” në Gjermani ndërsa në fillim të këtij viti mbrojti doktoraturën në shkenca kompjuterike në Universitetin La Sapienza në Romë. Erisa tregon se ka qënë e apasionuar pas matematikës që e vogël, madje ka marrë pjesë në disa konkurse e olimpiada brenda e jashtë vendit. Ishte I jati që e nxiti edhe më shumë të zbulonte aftësitë e saj në shkencat ekzakte, pa ia penguar kurrë këtë drejtim, që edhe Erisa e pranon se në shoqërinë shqiptare, konsiderohet më shumë si profesion për burra.

“Mendoj se kjo ka qënë incentiva kryesore që më shtyu drejt shkencave ekzakte. Një ndikim të madh, ka patur edhe im atë, i cili më ka nxitur gjithmonë të vendos pikësynime të larta për veten dhe të përmirësohem shumë. Familja më ka shtyrë gjithmonë të ndjek ëndrrat dhe dëshirat e mia. Mendoj se shoqëria shqiptare (por jo vetëm) ka vendosur disa rregulla se cilat janë profesionet e përshtatshme për një femër ku shembujt më tipik janë mësuese, punonjëse sociale apo ekonomiste. Profesioni i inxhinierit konsiderohet tipik mashkullor dhe aspak i përshtatshëm me natyrën delikate të gruas. Për mendimin tim është shumë e rëndësishme ti edukojmë brezat e ardhshëm me idenë se gjinia nuk ndikon fare në suksesin profesional dhe duhet ti motivojmë vajzat të ndjekin studimet në këto fusha” –thotë Erisa.

Ndërsa zbuloj arritjet e saj në këto 5 vite, mendoj e pyes nëse do të kishte qënë kaq e suksesshme nëse do të kishte qëndruar në Shqipëri. Në fakt është për të ardhur keq që të rinj kaq të talentuar dhe të zotë si Erisa Terolli duhet të largohen sepse sistemi arsimor në Shqipëri nuk u ofron atyre të njëjtat mundësi.

“Në Shqipëri ka ende shumë për të bërë në mënyrë që të përmirësohet sistemi arsimor. Në Romë apo në SHBA i jepet goxha rëndësi arsimimit dhe që në bankat e shkollës, nxënësve u jepet mundësia të njihen dhe frymëzohen nga liderë të fushave të ndryshme ndërsa stimulohen që të arrijnë objektivat e tyre, të zhvillojnë mendimin kritik, dhe të ndjekin ëndrrat që kanë. Natyrisht me vullnet mund të arrihet gjithçka por në periudhën ku jetojmë, veç dëshira e mirë nuk mjafton. Është e nevojshme edhe nxitja e të rinjve e të rejave, motivimi për të synuar më shumë dhe kjo për momentin mungon në Shqipëri.

Megjithatë, vajza nga Pogradeci që shumë shpejt do të mund të lexojmë për kërkimet e saj shkencore në nivel ndërkombëtar, thotë se ka ndërmend të rikthehet e të japë një kontribut.

“Kam dëshirë të kthehem, natyrisht sepse mendoj se dikush ka dhënë kontribut edhe më të madh kur bën diçka për vendin e vet. Por për momentin synoj të bëhem kërkuese e zonja në fushën time, që të bëj emër për veten, familjen dhe Shqipërinë gjithashtu”.