Bashkëshorti që e goditi me levë në kokë kërkontë lirinë, Merita fiton të drejtën e merituar

31

Pas një martese të dhunshme 30-vjeçare dhe një divorci që desh i kushtoi jetën, Merita Brama, 51 vjeç, mori frymë e lehtësuar më 12 dhjetor në një sallë gjyqi të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë.

Nëna e dy fëmijëve i tha BIRN se u ndje e sigurt në momentin që gjyqtarja Flora Hajredinaj shpalli dënimin e ish-bashkëshortit të saj, duke e ndryshuar njëherazi akuzën nga dhuna në familje që kërkoi prokurori- në tentativë për vrasje.

Ndryshimi i akuzës nga gjykata solli dënimin e ish-bashkëshortit të saj Agim Doçi me 22 vjet burg. Megjithatë, beteja për drejtësi e Merita Bramës nuk ishte një rrugë e thjeshtë.

Nga 15 korriku 2017, kur ajo përfundoi në spital me kokën e çarë nga goditjet me levë hekuri të ish-bashkëshortit dhe deri në shpalljen e vendimit dy vite e gjysmë më vonë, 51 vjeçarja është përballur me një kalvar sorollatjesh nga njëri institucion në tjetrin në kërkim të drejtësisë.

Dosja e dhunës së ushtruar ndaj saj u kthye në pingpong kompetencash mes gjykatës së Krujës, asaj të Krimeve të Rënda, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës së Lartë përpara marrjes së një vendimi- duke e detyruar nënën e dy fëmijëve që t’u nënshtrohej disa herë ekspertimeve mjeko-ligjore ndërsa rinovonte urdhrat e mbrojtjes.

I pandehuri Doçi pranoi para gjykatës akuzën e dhunës në familje, ndërsa përmes avokatit të tij kërkoi lirimin me kohën e paraburgimit. Por Brama nuk hoqi dorë nga këmbëngulja se ngjarja nuk mund të klasifikohej dhunë në familje.

“Ky person është dënuar disa herë për këtë vepër, derisa mëngjesin e 15 korrikut 2017, edhe pse e pajisur me urdhër-mbrojtje, edhe pse e kishte shkelur disa herë urdhrin nga gjykata që të mos më afrohej, dhe pse ishte larguar nga banesa, më ka zënë pritë në kohën që po shkoja në punë në orën 06:00 të mëngjesit,” tha Brama.

“E falenderoj Gjykatën se ka dhënë një vendim të drejtë, e kanë gjykuar çështjen me themel,” shtoi 51 vjeçarja, ndërsa shprehu rezerva për qëndrimin e mbajtur nga përfaqësuesit e akuzës.

Merita Brama, 51 vjeç (majtas) dhe përfaqësuesja e Rrjetit për Fuqizimin e Gruas në Shqipëri, Irena Shtraza. Foto: Edmond Hoxhaj.

Mëngjesin e 15 korrikut 2017, Merita Brama ishte nën urdhër mbrojtjeje kur ish-bashkëshorti i zuri pritë në 6:00 të mëngjesit rrugës për në burgun e Fushë-Krujës, ku ajo punonte si kuzhiniere.

“Më ka ardhur nga prapa dhe ka filluar të më godasë me levë hekuri nga koka dhe nga të gjitha pjesët e trupit. Ashtu e gjakosur nga koka deri tek këmbët, kam 32 penj (qepje) në kokë, jam marrë nga njerëzit që po kalonin aty rastësisht, jam dërguar në rajonin e policisë Fushë-Krujë,” tha Brama.

“Unë sot jam gjallë falë atyre punonjësve të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale(IEVP) Fushë – Krujë, pasi ata e kanë parë dhe e kanë dëgjuar të gjithë skenën që është luajtur aty. I kanë thënë lëre se e mbyte,” shtoi ajo.

Reporter.al