“Adriana denoncoi abuzimet 4 vite më parë, por askush nuk hetoi”, flet gazetari i “Le Iene” Taulant Kopliku

76

Mbarë Shqipëria u trondit nga akuzat publike të një vajze 27 vjeçare jetime e cila pohoi përpara kamerave në një emision në prime time (orari i mbrëmjes) se ishte abuzuar seksualisht në një institucion që në fakt duhet të garantonte jetën e saj. Adriana Berisha tha se ishte dhunuar e abuzuar për vite me radhë nga vetë punonjësit e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, ndërsa rrëfente në 6 qershor historinë e saj në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” në Top Channel.

Por kjo nuk ishte hera e parë që vajza jetime bënte denoncime kaq të forta ndaj stafit të këtij institucioni. Në maj të vitit 2016, një investigim me autor Taulant Koplikun, sot gazetar i emisionit prestigjoz italian “Le Iene” (Hienat) shfaqi të gjithë kalvarin e abuzimeve dhe krimeve të kryera ndaj kësaj vajze, rrëfyer nga vetë Adriana.

Vetë Kopliku në një intervistë ekskluzive për bitchmagazine.al (pjesën e parë të së cilës po publikojmë sot) tregon se vajza që shfaqet me fytyrën e mbuluar në investigimin e tyre dhe me pseudonimin “Ana” është pikërisht Adriana Berisha.

“Të jem i sinqertë, pashë intervistën e asaj nate në Top Channel, shumë më e lirshme dhe më e drejtpërdrejtë se sa në bisedën që kisha bërë unë dhe mendimi I parë ishte “Bravo vajzë, ia arrite ta pranosh këtë sfidë”. U ndjeva edhe vetë një pjesë e kësaj, sado modeste. Çdo frazë që ajo rrëfente më dukej në një farë mënyrë si një film që kisha shikuar”-shprehet Kopliku.

Gazetari shpjegon se investigimi i vitit 2016 ishte në kuadër të një projekti të nisur nga portal ShkodraNews realizuar bashkë me kolegun Blendi Kola. Ai tha se kishte mundur të siguronte intervistën me Adrianën, falë një djali të rritur në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër.

“U ulëm në një lokal në qendër të qytetit dhe Adriana më kërkoi të mos regjistroja asgjë. Dukej se kishte frikë. Unë pranova kërkesën e saj, por kisha një mikrokamera dhe një regjistrues të ndezur që pa nisur biseda. Më pas në montazh, mbuluam fytyrën e saj dhe e ndryshuam emrin”-shprehet Kopliku.

Gazetari thotë se intervista zgjati për më shumë se 2 orë dhe se ai është i bindur në vërtetësinë e fjalëve të Adrianës. “Me ne gjatë bisedës ishte edhe motra e saj e vogël. Adriana kishte një mënyrë të akullt të rrëfimit, pa asnjë lloj ndjeshmërie por të shihte drejtë në sy dhe me një natyrshmëri të habitshme. Gati gati sikur tregonte normalitetin e një dite në Shtëpinë e Fëmijës dhe jo monstruzitetin e stafit që kishte për detyrë ta rriste dhe edukonte. Një gjë tjetër që më bën të besoj në përqindje të lartë atë që ka rrëfyer, ishin ndërhyrjet e së motrës për ti kujtuar sa më shumë detaje. Kishte një sinkron mes tyre që sinqerisht do të ishte tejet e vështirë të realizohej kaq perfekt nëse do të ishin deklarime të rreme.

“Adriana ka frikë, mbahej nën terror nga një tutor i dhunshëm’

Në intervistën e vitit 2016 ashtu si në rrëfimin e saj në emisionin “Dua të të bëj të lumtur”, Adriana tregoi se veç abuzimeve në jetimore, ishte detyruar që të prostituonte pasi kishte shkuar në konviktin e vajzave “Safet Spahiu” në Shkodër.

“Personalisht i kam besuar dhe i besoj asaj vajze ndërkohë që dyshoj se ajo ka shumë frikë dhe për këtë nuk përmend persona të tretë jashtë institucionit. Për të qënë më konkret, në periudhën që ajo deklaron se prostituonte, unë kam informacione nga burime të besueshme që ajo është mbajtur nën terror nga një tutor i dhunshëm që aktualisht ndodhet në burg. Natyrisht që ajo ka frikë, stepet për të nxjerrë emra, shto këtu dhe konfuzionin përballë reflektorëve të një studioje të rëndësishme televizive, që mund ta bëjë të pabesueshme për një pjesë të publikut. Nga këto detaje përfitojnë pastaj të hidhen në sulm, gjoja përgënjështryes dhe individë të lidhur ngushtë me raporte pune dhe projektesh me shtëpinë e fëmijës Shkodër, të cilët këto ditë e kanë kryqëzuar atë vajzë duke e dhunuar psikologjikisht njëlloj si dhunuesit e saj të mëparshëm”-vijon Taulant Kopliku.

Por çuditërisht, pavarësisht gjithë akuzave të artikuluara nga Adriana në investigimin e Koplikut dhe kolegëve të tij, nuk pati asnjë reagim institucional apo nisje të një hetimi nga prokuroria mbi denoncimin e saj publik. “Menjëherë pasi realizuam këtë histori, unë u riktheva në Milani por dyshoj të jetë hapur ndonjë hetim. Asnjë oficer i policisë gjyqësore nuk i ka kontaktuar kolegët e mi në Shkodër e as nuk kërkuan videon integrale, një veprim krejt minimal që duhet bërë kur ka një denoncim të tillë publik”-thotë Kopliku.