Pas ligjit kundër abortit, deputetja propozon që burrat të sterilizohen

128

Mund tju duket e pabesueshme, por një deputete në shtetin amerikan të Alabamës ka propozuar që burrat të kryenë vasektomi të detyrueshme (sterilizim i përhershëm) si kundërpërgjigje ndaj ndalimit thuajse të plotë të abortit. Ligjvënësja ka propozuar një projektligj që i kërkon burrave të kryejnë vazektomi sapo të kenë mbushur të 50-at, ose pas lindjes së fëmijës së tyre të tretë.

Bëhet fjalë për Rolanda Hollis e cila e paraqiti projektligjin pak ditë më parë në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të Alabamës dhe sipas saj ky draft nuk shkel aspak të drejtat riprodhuese të burrave që parashikohen në ligjin ekzistues.

Hollis tha në një deklaratë se ky projektligj ka si qëllim të neutralizojë ligjin e vitit të kaluar që ndalon thuajse plotësisht abortet dhe i dërgon një mesazh burrave që nuk kanë të drejtë të miratojnë ligje mbi atë se çfarë gratë duhet të bëjnë me trupat e tyre. Sipas saj, gjithnjë duhen dy veta për të kërcyer Tango, ndaj burrat duhet të vihen para përgjegjësisë ashtu si dhe gratë.

Edhe pse projektligji u prit mirë nga pjesa më e madhe veçanërisht për shkak të qëllimit final, në rrjetet sociale pati dhe nga ata që e quajtën një ide “të sëmurë”. Por Hollis iu përgjigj kritikave duke thënë se për sa kohë shumica vazhdon të miratojë ligje që i diktojnë gruas se çfarë duhet të bëjë me trupin dhe të drejtat e saj riprodhuese, atëherë edhe burrat duhet të trajtohen po njëlloj.

bitchmagazine.al