“Ndalohen burrat”, një hotel i ri në Majorka vetëm për gratë

26

Bëhet fjalë për hotelin “ Som Dona” në Porto Kristo të Majorkës i cili është gjithmonë i hapur dhe mikpritës vetëm për gratë e moshës 16 e sipër. Ai u dedikohet ekskluzivisht atyre dhe nuk lejohet asnjë burrë që të jetë klient i tij.

Ka një përbërje prej 39 dhomash dhe rregulli strikt ndaj burrave është vendosur me qëllim që hoteli të shndërrohet në një hapësirë relaksuese për të gjitha ato gra të cilat kërkojnë të shkëputen nga streset e përditshme.

Gjithashtu hoteli ka edhe një pishinë të madhe të rrethuar nga shtretër plazhi të bardhë me dyshek të butë e perde të holla sipër tyre, një qendër fitnesi, një bar dhe një restorant. Nuk mungon as tarraca, një librari dhe një zonë komforti për mysafiret. Interneti ofrohet falas nga hoteli pasi kështu gratë mund të kenë mundësinë që të postojnë në rrjetet e tyre sociale këtë eksperiencë.

Dhomat përfshijnë shtretër të mëdhenj, një tualet personal, mobilje me shkëlqim dhe një dizajn bashkëkohor. Shërbimi që ofrohet është prej 4 yjesh si dhe është posaçërisht për të përmbushur nevojat e këtyre grave gjatë qëndrimit të tyre. Ky shërbim ofron edhe një larmishmëri ekskursionesh nëpërmjet të cilave mund të eksplorosh vendet më të mira në Majorka.

Vendndodhja e hotelit është në bregdetin Lindor, afër plazheve më të bukura dhe shpellave më mbresëlënëse. Një natë në këtë hotel kushton 85 dollarë dhe nëse dëshironi të informoheni më tepër mund të vizitoni adresën elektronike zyrtare të SOM DONA-s. Është e rëndësishme të mos harroni se pavarësisht rregullit ekzistues, stafi përbëhet edhe nga disa burra për të mos shkelur në këtë mënyrë ligjin Spanjoll për diskriminimin gjinor.

Përshtati në shqip Emi Bibolli