Gruaja mendjendritur që hodhi themelet e feminizmit

48

Ajo është atje, hipur në një karrocë e tërhequr nga filozofi Niçe dhe i adhuruari tjetër i saj, orientalisti gjerman Paul Rée. Ishte e habitshme kjo fotografi komike që prej vitesh më kishte tërhequr vëmendjen. Në duar mban një kamzhik dhe ata dy njerëz aq të mënçur ishin si të thuash të mbrehur ne qerren e saj.

Fillimisht të duket thjesht një shaka, edhe pse kjo muzë e dashurisë, e poetëve dhe e filozofëve, kishte jo pak pushtet te burrat e mençur të asaj kohe, jo thjesht për imazhin fizik dhe bukurinë natyrale që kishte me hiret e saj, por së pari për inteligjencën dhe kurajon e saj për të kërkuar shtigje të reja të botës femërore, që deri në atë kohë ishte konsideruar thjesht si një «makineri» prodhimi, për mbajtjen gjallë të species e vazhdimësisë humane dhe jo si një krijesë e barabartë me botën e meshkujve që deri atëherë zotëronin gjithë tribunën e plejadës së njerëzve të shquar gjatë shekujve.

E pra, Lou-Andréas Salomé, (Lioulia von Salomé), ajo vajzë me ata sy të mëdhenj e të zinj, ishte ndër të parat luftëtare feministe dhe një europiane e vërtetë. Nga vinte kjo grua, ç’përfaqësonte filozofia e saj dhe ajo krijimtari e cila është jo e pakët gjatë viteve të shumta të krijimtarisë së saj.

Feministet e shekullit XX dhe ato të sotme, nga Simone de Beauvoir e gjer tek lëvizjet më të fundit feministe, i referohen shpesh kësaj figure me origjinë gjermane. Pas ikjes nga Shen Petersburgu ku lindi më 1861 dhe u rrit deri në moshën 17 vjeçare e më tej, me udhëtimet dhe qëndrimet e shpeshta nëpër metropolet e Europës së fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, ajo u kthye në një nga figurat më spikatëse të femrës moderne të epokës që jetoi.