Flutura Açka: Gratë e politikës janë keqtrajtuar në Shqipëri

26

Ajo është shkrimtare, publiciste dhe një njeri që nuk druhet kurrë të thotë mendimin e saj hapur, cilidoqoftë ai, dhe jo rrallë herë krijon polemika e nxit diskutime. Së fundmi Flutura Açka bëri dhe një reagim në Facebook pas zgjedhjes së Arba Kokalarit, mbesës së Musine Kokalarit si deputete në Parlamentin Europian duke treguar se çfarë mund ti ndodhte një vajze si ajo në një ambjent si Shqipëria. Për shkrimtaren, shqiptarët e thjeshtë kanë gjithë të drejtën të krenohen për bijën e tyre, Arba Kokalari, një politikane e hijshme siç janë dhe gratë shqiptare në përgjithësi, që Açka i cilëson “qeniet më të emancipuara të kësaj shoqërie”. Por sipas saj pikërisht zgjedhja e Arbës në PE duhet të na bëjë të reflektojmë se si trajtohen gratë në politikën shqiptare. E ftuar në emisionin “Provokacija” me Mustafa Nanon, shkrimtarja tha se gratë në politikën shqiptare janë keqtrajtuar dhe keqpërdorur nga politikanët. Shkrimtarja përmendi edhe politikanen më të re në parlamentin shqiptar, Rudina Hajdarin, që sipas Açkes nuk ka arsye për ta sulmuar.

“Gratë politikane shqiptare janë keqtrajtuar, shikoni çfarë i bëjnë Rudina Hajdarit? E majta e përdor për arsyet e veta dhe e djathta e godet për arsyet e veta. Ajo mund të ketë probleme me artikulimin për shkak se është shumë e re, por nuk duhet marrë si një dobësi apo arsye për ta sulmuar. Rudina Hajdari për mendimin tim ka bërë një gjest që Partia Demokratike duhet ta vlerësoje. Ajo, as nuk duhet të përdoret nga e majta dhe as të sulmohet nga e djathta, sepse ajo vajzë e re ka nevojë për mbështetje”. Gjatë emisionit shkrimtarja tha gjithashtu se një koleg i saj kishte reaguar jo fort mirë ndaj qëndrimit të saj publik për Arba Kokalarin, duke i vënë në dukje që të mos meret me politikë.

“Ndoshta kjo shprehje ka shqetësuar një kolegun tonë, një djalë shumë i mirë për të cilin unë do të vazhdoj ta respektoj, i cili më kujtonte që unë duhet të merresha me shkrimet, me përqarjet për tim bir në raport me tim bir dhe të mos merresha me çështje që kanë të bëjnë me politikën, a thua se politika është domen vetëm i burrave, njëlloj sikur të më thoshte që ti je grua dhe duhet të rrish te kuzhina dhe mos u merr me këto gjëra, domeni i kujt është politika? Kjo gjë më vrau më shumë se çdo gjë tjetër në atë shkrim. Unë nuk merrem me politikë por të drejtën si njeri i lirë, si publiciste e kam, për të thënë mendimin tim, qoftë edhe të gabuar”. Pak ditë më parë Açka reagoi për zgjedhjen e eurodeputetes së parë shqiptare duke dhënë një sërë argumentash se nëse Arba Kokalari do të ishte në Shqipëri “do ta kishin shqyer”.