Flet babai i nobelistes Malala: Patriarkalizmi është një idiotësi

65
Kohë më parë se vajza ime Malala Jusafazi të vinte në jetë, kohë më parë se të fillonte lufta jonë për të drejtat e vajzave dhe grave dhe shumë kohë më parë se sulmi brutal i talebanëve të orientonte vëmendjen në historinë e saj, unë mora një vendim. I lindur në një fshat në Shangla në veri të Pakistanit unë kam qënë pjesëtar i një familjeje patriarkale. Kisha 5 motra dhe 1 vëlla dhe kam parë sesi ne djemtë zotëronim këpucë më të mira, shumë rroba e shumë privilegje të tjera më tepër se vajzat. Kam parë se mamaja ime nuk dilte kurrë e pashoqëruar nga shtëpia dhe recetat mjekësore nuk i referoheshin kurrë emrit të saj Maharo Bibi por i referoheshin si mamaja e Ziaudinit ose si gruaja e Rohul Aminit.

 

Dhe më e keqja nga të gjitha, shikoja se mua më duhej të shkoja në shkollë ndërsa motrat e mia duhet të qëndronin në shtëpi duke shkatërruar kështu të ardhmen e tyre. Isha shumë i vendosur se nëse një ditë do të bëhesha baba, do të isha krejt ndryshe. Kur u martova me bashkëshorten time Tur Pekai, ne vendosëm të krijonim një familje të bazuar tek barazia, duke respektuar njëri-tjetrin si partnerë të barabartë dhe duke rritur vajzën tonë ashtu siç rritëm dy djemtë tanë Kusal e Atal. Nuk e kisha dëgjuar fjalën feminist deri në moshën 45 vjeçare kur sulmi ndaj Malalës na detyroi që të shpërnguleshim në qytetin e Birmingamit në Britani. Unë feminizmin jam përpjekur ta përhap në familjen dhe komunitetin tim për vite me rradhë.

Unë besoj se baballarët kanë një rol kryesor në luftën për të drejtat e femrave. Sigurisht kur të drejtat e tua dhunohen në shtepi, në punë, e kudo zëri yt është mjeti më i fuqishëm për të mposhtur këtë dhunim. Por, në familjet patriarkale zëri i një babai është mjeti i dytë më i rëndësishëm për nxitjen e ndryshimit. Kemi parë momente të mrekullueshme në histori nga femrat që luftonin për të drejtat e tyre,  nga lëvizjet feministe #Edheunë kundër ngacmimeve seksuale e deri tek organizatat globale apo lokale të cilat punojnë për barazinë gjinore si dhe për të drejtat e djemve dhe vajzave. Në shoqëritë patriarkale të cilat ekzistojnë ende në shumë vende perëndimore, platforma apo organizata universale është familja. Kur një baba ndërmerr një udhëtim drejt feminizmit, duke besuar tek vlerat e vajzave të tij ai mund të ndryshojë të ardhmen e gjithë familjes.

Nuk jam i bindur përse e fillova dhe unë këtë udhëtim kur ndërkohë shumë meshkuj të tjerë besojnë tek vlerat e trashëguara tek ata ndër shekuj. Kjo vjen ndoshta si rezultat i talljes që mua më është bërë kur isha fëmijë për ngjyrën time të errët të lëkurës apo problemit tim të belbëzimit. Të gjitha këto më kanë nervozuar ndaj unë jam kundër çdo lloj diskriminimi që u bëhet të tjerëve për mënyrën si ata kanë lindur. Ama, jam i bindur për diçka. Patriarkalizmi është idiotësi dhe baballarët duhet të shfaqin interes në çrrënjosjen e tij. Edhe ne, edhe aktivistët duhet t’ua komunikojmë atyre këtë gjë. Jeta në një mjedis patriarkal është e mërzitshme dhe frustruese për këdo.

Unë kam parë një familje në Pakistan e cila përbëhej nga 6 vajza dhe 1 djalë e për shkak të normave shoqërore babai dhe djali duhej të punonin në kushte të rrezikshme ndërsa vajzat e kishin të ndaluar të shkonin në shkollë. Një djalë sakrifikon jetën e tij për shkak të një norme të kotë ndërsa një vajzë nuk arrin të shohë potencialin e fshehur brenda saj. Në vendet si SHBA-ja apo Britania edhe pse vajzat edukohen dhe kanë të njëjtat të drejta me djemtë, çështje si pabarazia gjinore, misogjinia apo ngacmimet seksuale vazhdojnë të dëmtojnë karrierat dhe jetët e tyre personale. Palumturia ushqen palumturinë. Baballarët të cilët ndihmojnë vajzat e tyre të nxjerrin në dritë potencialin e fshehur me besimin se ata do të jenë gjithmonë përkrah tyre përcjellin prosperitet dhe lumturi në familje.

Duke u bazuar tek fondi i Malalës dhe tek Banka Botërore, nëse do u jepnim vajzave edukim mbi lirinë dhe barazinë gjinore atëhere ekonomisë së Botës do i shtoheshin të ardhura prej 15 deri 30 trilion dollarë. Kjo është një fitore e vërtetë. Këto argumente janë të fuqishme ndërsa argumentet në mbrojtje të patriarkalizmit janë të dobëta. Kjo është edhe arsyeja përse talebanët qëlluan vajzën time Malala në vitin 2012, kur unë dhe ajo ishim duke zhvilluar fushata sensibilizuese kundër ndalimit që u bëhet vajzave për të shkuar në shkollë. Ata e dinin se zëri i një vajze të vogël do të sillte ndryshim më tepër se armët dhe bombat. Ky sulm ishte akti më i rëndë që mund ti ndodhë një familjeje dhe një traumë e vërtetë për ne.

Malala nuk është thjesht vajza ime, por edhe shpirti im binjak Jani, pseudonimi me të cilin e thërras unë atë. Ishte e tmerrshme tek shihja vajzën time midis jetës dhe vdekjes. Ky sulm jo vetëm që nuk ndikoi negativisht në përkushtimin tonë ndaj luftës për barazinë gjinore por na siguroi edhe më tepër se kjo luftë vlente jashtëzakonisht shumë. Tani Malala studion në Universitetin e Oksfordit dhe lëvizjet e saj aktiviste janë përhapur në të gjithë botën. Java e parë larg saj, më shtoi mallin dhe kur shkova në dhomën e braktisur të Malalës lëshova disa pika lot duke menduar sesa e pavarur ishte tani vajza ime. Një lumturi e madhe kishte pushtuar zemrën time teksa shihja atë të lirë e me besim të plotë tek vetja duke zhvilluar fushata përreth botës pa patur nevojë për dikë që ta shoqëronte. Një prind i mirë duhet të ketë dëshirën që fëmijët e tij të jenë të lirë sa më shpejt të jetë e mundur. Tani, familja ime i ka thyer zinxhirët e patriarkalizmit dhe përveç Malales e gruas sime edhe unë bashkë me djemtë e mij jemi gjithashtu të lirë.

Ziauddin Jusafazi, është autori i librit “Lëre atë të fluturojë” dhe biografisë “Një udhëtim i babait” që bën fjalë për luftën e tij për të drejtat e femrave në Pakistan dhe për marrëdhëniet e tij me të bijën, Malalën.

 

Përshtati në shqip për bitchmagazine.al: Emi Bibolli