U përdhunua dhe u dogj me benzinë para 23 vitesh, 800 burra japin ADN-në për të zbuluar vrasësin e vajzës

47
Qindra burrave në Gjermani u është kërkuar të japin ADN-në e tyre për të ndihmuar në zbardhjen e vrasjes së një vajze të vogël,  ngjarje që ka ndodhur para 23 vitesh.
Claudia Ruf ishte 11 vjeç, kur teksa po shëtiste qenin në qytetin gjerman Grevenbroich u rrëmbye.
Familja e saj u shqetësua kur qeni u kthye në shtëpi, ndërsa vajza jo. Trupi i Claudia Ruf u gjet dy ditë më vonë, më shumë se 40 milje larg. Para se t’i digjnin trupin me benzinë vogëlushen e kishin përdhunuar dhe vrarë.
Posterat në autobusë dhe trena, kërkimet e shumta të policisë apo shpërblimi i premtuar rezultuan pa sukses në gjetjen e vrasësit.
Kur kanë kaluar 23 vite nga ngjarja, policia vijon kërkimet. Në përpjekje për të gjurmuar vrasësin policia gjermane u ka kërkuar 800 burrave nga mosha 14 deri në 70 vjeç në kohën e vdekjes së vajzës, për të dhënë një mostër të pështymës.
Oficerët thonë se gjurmët e ADN-së së vrasësit u gjetën në trupin e Claudia Ruf ndaj dhe ata shpresojnë që testet të gjejnë vrasësin e saj.
800 burrat nuk janë të dyshuar por policia shpreson se njëri prej tyre mund të jetë i lidhur me vrasësin, mbase pa e ditur këtë fakt.
Policia në SHBA ka pasur sukses me këtë strategji, ku me dhjetëra persona janë arrestuar gjatë viteve të fundit falë gjenealogjisë gjenetike.
Hetuesit janë në gjendje të hyjnë në ADN-në e vendit të krimit përmes një baze të dhënash publike të lidhur me faqet e internetit të përdorura nga njerëzit për të hulumtuar pemët e tyre familjare.
Informacioni mund të zbulojë një të afërm dhe të çojë policinë te i dyshuari përmes hulumtimit të certifikatave të lindjes dhe vdekjes, gazetave lokale apo mediave sociale.
Një numër takimesh janë zhvilluar me banorët e fshatit gjerman për rastin dhe policia tha se rreth 480 vullnetarë u paraqitën në seancën e parë. Deri me 1 dhjetor do të ketë edhe tri seanca të tjera.
Policia ka thënë se të gjitha ADN-të që nuk përputhen do të fshihen.
Një përpjekje e ngjashme u bë për të gjetur vrasësin e Claudia Ruf në vitin 2010, kur u thirrën 350 persona, por policia thotë se ka gjetur të dhëna të reja që prej atëherë.
Këtë muaj, babai i Claudia Ruf regjistroi një video e cila u publikua nga policia, ku ai lutej për ndihmë në “zgjidhjen e fatit të trishtë të vajzës”. Ai tha: “Autori i krimit prej shumë kohësh fshihet pas nesh”.