“Trupi im, zgjedhja ime” Gucci jehonë feminizmit në koleksionin e ri

45

Ngjarjet e bujshme në Alabama lidhur me ligjin për ndalimin e aborteve mesa duket kanë frymëzuar edhe drejtorin kreativ të markës së njohur ndërkombëtare Gucci. Pikërisht mbrëmë në Capitoline Museum në Romë u prezantua shfaqja e Gucci për vitin 2020 në qendër të së cilës qëndronte liria, veçanërisht e grave në lidhje me abortin. Kjo gjë u duk në veshjet të cilat përmbanin qëndisma në formë mitre si dhe slogani feminist i viteve 1970 “Trupi im, zgjedhja ime”.

Në instagramin e markës luksoze shkruhet se shfaqja i bën një jehonë vizionit të vazhdueshëm të drejtorit kreativ që ka lidhje me lirinë, barazinë dhe të shprehurit të vetvetes.  “Gucci ka një angazhim të vazhdueshëm për të financuar projekte për gratë në mbarë botën, për të mbështetur të drejtat seksuale dhe riprodhuese, shëndetin e nënës dhe lirinë e individit.”

Që prej krijimit të fushatës Chime for Change në vitin 2013, fushatë e cila përfaqëson dhe mbron barazinë gjinore, Gucci ka një përkushtim afatgjatë në lidhje gratë dhe vajzat duke krijuar projekte në të gjithë botën të cilat mbështesin të drejtat seksuale dhe riprodhuese, shëndetin amësor dhe lirinë e zgjedhjes individuale.

Edhe më herët Gucci guxoi me pamjet në linjën e re të buzëkuqëve ku si modele ishin vajza me buzë joperfekte apo dhëmbë jo të rregullt, kjo për të treguar se e zakonshmja është e bukur. Ndërkaq, në pasarelë nuk munguan as detajet e frymëzuara nga Roma e Lashtë, bizhuteritë e Herkulit apo copat e veshura nga murgeshat.