Sindi Breshani, shqiptarja e parë me një çmim për lojërat digjitale

16

Është vetëm 24 vjeç, por ka arritur që vendit tonë ti zbardhë faqen duke u shpallur një nga fitueset e konkursit “Women in Games: Student Portfolio Award” në fushën e industrisë së lojrave digjitale.

Por çfarë ka sjellë në jetë Sindi, pra për çfarë ka fituar ajo? Loja quhet “Diktatura” dhe është një mënyrë, me anë të së cilës një 15 apo 20 vjeçar i ditëve të sotme, shqiptar apo i huaj, të “përjetojë” këtë periudhë të errët të historisë shqiptare. Nëpërmjet 9 karaktereve, në lojë tregohen 9 histori të vërteta njerëzore të cilat Sindi i ka mësuar nëpërmjet intervistave që ajo ka bërë.

“Unë dua të tregoj eksperiëncën e atyre që e përjetuan atë periudhë, si një këmbanë alarmi për sistemet totalitare dhe për të mbrojtur demokracinë, të cilës shumë politikanë në Shqipëri e në botë, i kanë shpallur luftë të hapur. E kam trajtuar si dokumentar-lojë dhe jo thjesht si dokumentar, pasi dua që audienca të futet brenda diktaturës shqiptare, sikur ta përjetonte atë, pra të jetë një eksperiencë, jo vetëm informacion.”- shpjegon Sindi.

Të ishte pjesë e 5 studentëve ekselentë në lojërat e krijuara dhe të zgjidhej ambasadore e Women in Games e ka bërë Sindin që të vazhdojë më tej ëndrrën e saj. Një event për të frymëzuar vajzat shqiptare të zgjedhin “game design” si të ardhmen e tyre është në planet e 24 vjeçares.

“Për mua ishte çmimi i parë që fitoj, prandaj ishte i veçantë. Gjithashtu më dha mundësinë të njihem me shumë femra të tjera që krijojnë lojëra, me të cilat shpresoj të kem bashkëpunime të ndryshme.”- ka thënë më tej Sindi

Por çfarë është “Women in games”? Një organizatë jo fitimprurëse që kërkon një industri, kulturë dhe komunitet lojrash pa diskriminim gjinor, ku barazia e plotë e mundësive, trajtimit dhe kushteve i fuqizon të gjitha gratë për të arritur potencialin e tyre të plotë.