Shuhet gazetarja, redaktorja dhe regjisorja e parë në Shqipëri

146

Stoli Beli, regjisorja, redaktorja dhe spikerja e parë e lajmeve shqiptare ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.

Ishte 29 prilli i vitit 1960, kur Stoli Beli nga studio e parë televizive shqiptare, do të artikulonte fjalët: “Të dashur spektatorë, mirëmbrëma… Sonte fillon për herë të parë `Qendra Eksperimentale e Televizionit Shqiptar`”.

Beli është një prej imazheve të vetme të asaj kohe që ndiqej nga shqiptarët në mungesë të shumë programacioneve që kemi sot, e nisi karrierën e saj në gazetari duke raportuar gjithmonë live.

Përveçse ishte spikerja e parë e ekranit të RTSH-së, ajo më pas u bë edhe gazetarja e parë, redaktorja dhe regjisorja e parë në Shqipëri. Të gjithë miqtë dhe familjarët e saj janë mërzitur për ndarjen nga jeta të Stolit.

“Sot rinia po kalon një situatë të vështirë. Ka shumë papunësi, por ka dhe shumë liri. Pra, dy situata që duhen ekuilibruar. Kjo vjen edhe nga televizionet, të cilët nuk kanë gjetur dot emisionet e duhura, që rinia të gjejë veten dhe të rrijë para ekranit. Edhe në ato orë që rri para tij, rinia shikon filma rozë, filma horror, si dhe spektakle ku mbizotëron fjala fyese, fjalori zhargon dhe pa etikë”, ka deklaruar ajo më herët e pyetur për televizionin dje dhe sot.

Një nga pengjet e spikeres që lexonte më shumë libra e shihte pak tv kohëve të fundit pasi sipas saj, në to ka shumë politikë, është mungesa e titullit “Mjeshtre e Madhe e Punës”. E kanë marrë shumë vete, këngëtarë, artistë, futbollistë, po unë që hodha themelet, që dhashë lajmin e parë në televizionin e parë shqiptar, me 31 vite karrierë, nuk më takon ky titull?, do të shprehej spikerja e parë e ekranit shqiptar, e Radio Televizionit Shqiptar, Stoli Beli.