Pushteti mbretëror i gruas, influencoi kulturën e patriarkatit

58

Problemi apo konflikti femër-mashkull e ka zanafillen tek mënyra e edukimit nëpërmjet frikës dhe jo nëpërmjet barazisë së njeriut nga njeriu. Një kulturë e tërë është ndërtuar nëpërmjet pushtetit të njeriut mbi njeriun, pra nëpërmjet përjashtimit, e cila fillon e ngjizet në familje si qeliza bazë e çdo shoqërie dhe po ashtu e tillë do të jetë edhe kjo shoqëria.

Për këtë problem ka teori pa fund janë bërë studime pa fund dhe konkluzioni është që duhet përqëndruar në edukimin e barazisë që në fëmijëri. Gjithashtu më pëlqen të citoj një linjë në socioantropologji që insiston se zanafilla është zilia e burrit te pushteti i pakufishem që ka gruaja mbi jetën.

Gruaja rrit jetë në trup të saj, por edhe mund ta ndërpresë atë. Është vendim i saj për ta lënë të gjallë jetën e re apo jo. Ky lloj pushteti pa kufi i gruas ndaj jetës, pushtet i barabartë me atë të një mbreti që ka fuqinë të marrë apo ta falë jetën e individit, ka krijuar këtë konflikt që përgjatë kohrave u bë strukturë psikoemocionale kolektive dhe më pas mori formën dhe influencoi në kulturën e kësaj periudhe që quhet patriarkat.

Ti kthehemi realitetit, dhuna dhe pabarazia ndaj gruas ekziston ende edhe ne vende shumë të zhvilluara. Me gjithë masat e marra, ajo ende është një plagë shoqërore që nuk ka gjetur zgjidhje. Une mendoj se duhet të ketë më shumë vëmëndje dhe një edukim të mirëstudiuar atëhere kur është koha që mund të evitohet, pra në fëmijëri. Por në një shoqëri ku fëmija vazhdon të ndëshkohet fizikisht si në familje dhe në shkollë, është e vështirë t’i shpëtosh kësaj sëmundjeje, të dhunës së njeriut ndaj tjetrit.

Mirë do të jetë që organet e drejtësisë dhe të rendit, të jenë më aktivë dhe të mos gjykojnë emocionalisht, por nëpërmjet principeve të të drejtave të njeriut dhe ligjeve në fuqi. Të paragjykosh do të thotë ti heqësh të drejtën vetes të mendosh dhe të bësh më të mirën që ofron ligji. Gjithashtu shoqëria shqiptare ka një problem kryesosë që është mungesa e sistemit të vlerave dhe modeleve qytetare që influencojnë dhe çojnë një shoqëri përpara. Për fat të keq modelet e vëndit janë ende të fortët dhe paragjykuesit.

Megjithëatë, shoqëria shqiptare dhe gruaja shqiptare në veçanti, ka bërë disa hapa të rëndësishme në drejtim të emancipimit edhe pse do t’i duhet shumë vullnet, kurajo dhe vendosmëri për të vazhduar rrugën drejtë barazisë së njeriut me njeriun. pra dhe e burrit me gruan. Koncepti i barazisë së njeriut me njeriun pra i burrit me gruan është ende një projekt edhe për vënde shumë të zhvilluara, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet pretenduar dhe luftuar për këtë të drejtë dhe emancipim.

Lira Gjika