O Zot, po si nuk vesha një fustan të bukur si shoqet?

48

Kur shkoj në punë,
i shoh gratë të veshura me fustane të bukura,
me ngjyra, pa ngjyra,
me lule, pa lule,
të gjatë, të shkurtër,
mëndafshe, dantella,
mbretëresha, helena, artemisa.
Ditë për ditë,
çdo ditë,
javë për javë,
çdo javë.
Dhe shkoj në shtëpi e qepur, cep më cep,
me dëshirë që nesër të vishem bukur.
Kur zbardh mëngjesi,
i hap qepallat e ditës me të bardhën time,
pastaj dal në dritare e i shpërndaj botës
liqene urimesh për ditë të mirë
e nis të vishem:
në fillim me dashurinë për njerëzit,
pastaj vesh mendimin e jetës së begatë,
më vonë mbërthehem, vesh më vesh
me dhimbjen për babanë,
hedh mbi to shallin e trashë të merakut
për djemtë,
lidh flokët me karficën e kujtimit
të fustanit të mamasë.
Në Mesopotam-në krahun e djathtë,
vendos si byzylykë vëllezërit
dhe motrën e mbaj në Peloponez-mbi sup
dhe pastaj
nxitoj të vesh pantallonat e mia dalëboje
të çdo dite.
Në fund,
i mbath këpucët e vargut
me ngjyrat e stinës
e nisem me varkën e zbathur të shpresës.
Ditë për ditë,
çdo ditë,
javë për javë,
çdo javë,
çdo muaj,
çdo stinë,
njësoj.
E pastaj,
shkoj në punë dhe befas kujtohem:
o Zot,
po si nuk vesha një fustan të bukur si shoqet?

Femër