Ne të rriturit humbim edhe kontrollin kur na thonë “është turp”, kurse me fëmijët e përdorim pa kursim

39

“S’ke turp, si sillesh kështu”,

“Më turpërove në sy të të tjerëve”,

“Kjo është turp”,

“Turp të kesh që flet kështu”.

…Dhe shprehje të tilla, i rrituri i “derdh lumë”, në drejtim të fëmijës, pa marrë në konsideratë moshën e fëmijës dhe pa u menduar, se çfarë efekti shkaktojnë, te fëmija, këto shprehje.

Të gjithë e dimë sa fjalë dhe ndjenjë e rëndë është turpi. Kur dikush na etiketon me fjalën “turp”, ne të rriturit, gati humbim dhe kontrollin dhe mund të shkojmë në ekstrem, me personin, i cili na u drejtua me këtë fjalë. Dhe për çudi, këtë fjalë, fjalën turp, e përdorim me fëmijët pa kursim.

Do të ishte mirë që kjo fjalë të hiqej nga fjalori i komunikimit me fëmijët, pasi është një fjalë, që ushqen e mban gjallë, më shumë të keqen, sesa “ndreq” ndonjë gjë. Kjo fjalë prek vetvlerësimin dhe ushqen ndjenjën e zhgënjimit të fëmijës ndaj vetes. E bën atë, fëmijën, të ndihet i turpëruar nga vetja e tij dhe i ushqen frikën, se prindërit nuk e duan.

Kjo frikë gjymton fëmijën më shumë se çdo gjë tjetër. Veprimet e fëmijës nuk janë ende të qëllimshme, që të fyejë të rriturin apo të bëjë keq me vetëdije. Fëmija po mëson vlerën dhe, se kur mund të përdoren shprehje, fjalët dhe veprimet e ndryshme.

Ai, fëmija, shikon dhe dëgjon të rriturit dhe i imiton ata. Fëmija mendon se i rrituri, duke filluar nga prindërit, i dinë të gjitha dhe do ta ndihmojnë që ti bëjë veprimet dhe ti thotë fjalët si duhen dhe kur duhen. Mirëpo të rriturit, shpesh, harrojnë se çfarë bëjnë vetë, ndërsa te fëmija i shikojnë me “lupë” gjërat, sidomos kur nuk janë me humor të mirë, i përdorin fjalët pa i menduar.

Përpiquni prindër, edukatorë e mësues, që fëmijëve të mos u drejtoheni me këtë fjalë gjymtuese, me fjalën “turp”. Kujtohuni çfarë keni ndjerë, kur ju janë drejtuar juve me këtë fjalë dhe mos ja bëni këtë gjë fëmijëve apo nxënësve tuaj.

Lira Gjika