Mentor Haziri: Na rroftë që jemi më të lashtët, gruaja shqiptare më e dhunuara në rajon

22

“Tek ne shqiptarët ende mburren që thonë, burri burrë.”,- ka thënë me nota të ashpra Mentor Haziri, këngëtari i njohur i muzikës shqiptare i ftuar në emisionin “Wake up”.

I ftuar për të folur për këngën e tij më të re “Një grusht trëndafila”, Mentori është “ngacmuar” nga moderatori Isli Islami pikërisht për titullin. Kjo pasi në një kohë që burrat japin grushte, Mentori ka menduar të japë një grusht të veçantë, atë të mbushur me trëndafila për gruan e tij, në fabulën e këngës së tij.

“Gruaja shqiptare është një grua që në vite dhe ende përjeton dhunën dhe diskrimimin tonë burrnor. Pse e them këtë? Tek ne shqiptarët ende mburren që thonë, burri burrë. Në Kosovë dhe në Shqipëri e kam vënë re, thonë kur të martohesh, duhet ta frikësosh gruan, që ti je burri. Imagjino, me këtë ne jemi krenuar, që është një lloj seksizmi i paparë. Po të ndalësh e të mendosh se sa e abuzuar është gruaja shqiptare është e paimagjinueshme”,- është shprehur artisti

Sipas Hazirit gjendja është njësoj e trishtë si në Shqipëri e po ashtu edhe në Kosovë, andaj është turp që të krenohemi për origjinën tonë ilire për aq kohë sa abuzojmë në këtë mënyrë.

“Unë e shoh sa herë që vij në Tiranë, por edhe në Kosovë e gjithkund e shoh që gruaja shqiptare është në grua që mendon për familjen. Fatkeqësisht është shumë e abuzuar. Unë mendoj që ne si shoqëri duhet të veprojmë ndryshe. Ti respektojmë më shumë gratë sepse gruaja është ajo që jep jetë dhe burri është ai që ne e mendojmë “The king”. Nëse ne mendojmë se jemi mbretër atëherë edhe gruaja duhet të jetë mbretëresha, por kjo tek shqiptarët nuk ndodh. Edhe nëpër anketat që janë bërë, gruaja shqiptare është më e dhunuara në rajon. Imagjino, ne shtiremi që themi jemi Ilirë e jemi pellazgë e kemi kulturë por që në vazhdimësi kemi abuzuar.”

Në këngën më të re ” Një grusht trëndafila, Mentori ka bërë bashkë në klip gazetaren Dasara Karaiskaj dhe modelen Diellza Kolgeci.