Mbeti shtatzënë kur ishte studente, Ema Andrea: Nëna më tha do ta rrisim vajzën bashkë

50

“Më ka pëlqyer të jetoj e pavarur edhe ëndërroja këtë jetën që nuk gjykojnë, nuk paragjykojnë. Në Shqipëri po të qeshësh në mëngjes, të thonë a ke pirë? Që do të thotë ka qenë shumë e vështirë të jesh vetvetja në shoqërinë tonë.”,- ka thënë Ema Andrea në emisionin “Historia ime”.

Thënë nga Ema, nuk të duket aspak habi. ajo është një nga figurat që shquhet për mendimet e saj të thëna hapur, pa doreza. Pas figurës së fortë që duket nga ekrani, qëndron gjithashtu një grua e fortë, jeta e së cilës ka qenë me pengesa, por edhe të papritura. Ajo ka rrëfyer gjatë emisionit se është bërë nënë shumë e re. Vajza e saj Sara, ka ardhur në jetë teksa aktorja ishte në vitin e tretë në fakultet e mund të themi edhe se janë rritur bashkë. Por krahas vështirësive ka qenë një tjetër grua, që ka ndenjur në çdo çast krah Emës, nëna e saj, e cila i ka thënë se vajzën do ta rrisnin të dyja e se respektonte çdo vendim të Emës.

‘Unë kam qenë dhe jam një person romantik, kam besuar në dashuri. Ëndrrat e mia kanë qenë të studioj jashtë, kur kam qenë adoleshente ëndrrat kanë qenë të lidhura me arti dhe pastaj me mënyrën e të jetuarit. Më ka pëlqyer të jetoj e pavarur edhe ëndërroja këtë jetën që nuk gjykojnë, nuk paragjykojnë. Në Shqipëri po të qeshësh në mëngjes, të thonë a ke pirë? Që do të thotë ka qenë shumë e vështirë të jesh vetvetja në shoqërinë tonë.

Unë ngela shtatzënë kur isha në fakultet në vitin e tretë dhe natyrisht që nuk kisha ndërmend të bëja ndonjë zgjidhje pragmatike midis vetes dhe fëmijës, janë ato shenja që ti jep një Univers, besoj se ka qenë fati im më i madh sepse më ka bërë të hyj në një stad të mrekullueshëm shpirtëror, përgjegjësie, në raport me veten, në raport me shoqërinë dhe për të gjitha zgjedhjet që janë bërë më pas.

Nëna ime më ka thënë ne mund ta rrisim fëmijën bashkë, unë do të respektoj çdo dëshirë tënden. Bëhet fjalë për vite shumë të ashpra për të bërë të tilla zgjedhje por jam rritur nga ajo nënë. /bitchmagazine.al