Kur mësuese Fitorja tallte: Hana na ke sjellë ndonjë morr sot në klasë?

730

…Kam kenë në klasën e pestë, stina ka kenë pranverë, e mbaj mend stinën, sepse ajo që ndodhi atë ditë mu duk se e pati nxi edhe bukurinë e pranverës malësore…

Edhe atë ditë, si për ditë bamë rreshtimin në oborrin para shkollës tetëvjeçare, komandatja e çetës së pionierëve e dha komandën dhe u futëm nëpër klasa… Orën e parë kishim lândën e Gjuhës Shqipe… Lânda që e kisha ma inat e ma, nga tana landët e mesimit. Jo se nuk mësoja, sepse kam kenë nxanës shumë i mirë, por e kisha inat se më dukej sikur na e mësonim me zor nji gjuhë që nuk e fliste kurrkush ndër tanë njerëzit që njihja, në rrethin familjar, në rrethin farefisnor e ma gjanë në tanë rrethin shoqnor.

Gjuhën Letrare si e thirrshin. Këtë pakënaqësi ia pata shprehë njiherë babës tem… nji natë vjeshte, kur baba kishte vndue kazanin me pjekë rakinë në oborr të shpisë. Asokohe kazani merrej me rend, krejt katundi kishte vetëm nji kazan, prandaj duhej me e pjekë shpejt e shpejt rakinë për me ia lëshue rendin shoqit. Baba rrinte tue pjekë rakinë disa ditë e netë rresht dhe nji natë unë iu luta babës me ndejtë çuet me të te kazani.

Natën vonë, kur ishim vetëm në oborr ia diftova babës pakënaqësinë teme për gjuhën letrare. Baba u mendue pak, më kqyri drejt e tha:
-“Bir, këto gjana mos ia thuej kujt, kurrkujt tjetër. Po biro ke të drejte me kenë i paknaqun… Gjuha letrare asht vendosë me detyrim. Vendim partiak, nuk asht marrëveshje gjuhëtarësh, as studiuesish.”

Dhe aty baba më diftoi se ideja e nji gjuhe letrare ishte në fakt ide e vjetër qysh nga rilindasit… ishte provue me u vendosë në vitet ’30, por kishte pasë kundërshtime dhe Mbreti Zog nuk kishte ndërhy me vendosë pa dvetë kënd si bani Enveri me standartin e vitit 1972…

-“Ia kanë ba me të pa drejtë Gegnisë” – tha baba, – “nuk na asht mohue vetëm gjuha, por na asht mohue edhe tanë ai kontribut i madh në kulturën shqiptare kontributi i klerit katolik që mohohet krejtiskreti. As përmendet kund At Fishta që asht poeti kombëtar…”

Ato fjalë mu gdhendën në mendje, pse erdhën si përgjegjie e dyshimeve të mia për gjuhën standarte… Sa herë më binin ndërmend në orën e gjuhës letrare…
M’u kujtuen edhe në orën e parë të asaj dite pranvere, kur u ulëm nëpër bankat që u kërcitshin tana gozhdat. Vetëm kërcitja e gozhdave ndihej para fillimit të orës se gjuhës, tanë klasa heshtnin. Heshtnin sepse mësuesja e Gjuhës ishte msuesja ma e frikshme e tanë shkollës. Të tanë i trembeshin asaj. Deri edhe vetë drejtori i shkollës i trembej. Ajo bante ligjin. Sepse ajo mësuese ishte prej poshti. “Prej poshti” – në Malesi thuhej për ata që kishin ardhë nga rrethet e jugut.

Por kjo nuk ishte arsyeja kryesore pse të tanë i trembeshin msuese Fitores. Arsyeja pse të tanë i trembeshin asaj ishte se mësuese Fitorja e kishte burrin të madh në Degën e Brendshme. Kjo gja e shpjegonte frikën e drejtorit dhe tanë këshillit pedagogjik. Kjo gja shpjegonte, pse ndërpritej e qeshuna e grupit të mësuesve sa afrohej kolegia e tyne Fitorja. Çkado me kenë tue fole mësuesit ndërveti, sa afrohej kolegia e tyen Fitorja menjiherë ndrrohej tema, kputej në mes e qeshuna dhe nji nga nji te tanë mësuesve u kujtohej se kishin harrue pa krye ndonji gja, kush me shkrue diçka në ditar e kush me rishikue edhe njiherë korrigjimet e provimit… Mësuese Fitorja që e kish të shoqin të madh në Degën e Brendshme, jo vetëm që nuk bezdisej nga kjo gja, por mesa kishim vërejtë ndjente knaqsi prej frikës që ngjallte. E shijonte pushtetin e dhanun prej të shojt… Pushtetin që ia jepte Dega e Brendshme…

Dega e Brendshme… ishte ajo sipërfaqja e rrethueme me plepa mbrenda mureve të nalta, në lagjen “Partizani”. Me oborrin aq të frikshëm sa na dukej sikur edhe ajri i qytetit druhej me hy mbrenda atyne mureve të Degës. Edhe ajri druhej me hy aty, sepse kushdo që hynte aty nuk mund delte ma i lirë… Edhe ajri ngjante sikur donte me ikë prej aty. Këtë bindje frike e përforconin edhe plepat mbrenda oborrit të Degës që tanaherat dukeshin si të vyshkyn, sikur nuk kishin ajër sa duhet. Malsorët me atë mekanizmin e tyne mbijetues ia kishin ndrrue emnin Degës tue krijue eufemizmin “Te Plepat”…”Rri se po të çojmë te Plepat.” – ishte kërcenimi që i bante fëmijët me u palue në gjumë pa ba fjalë…

Njatë frikën e fëmijëve që paloheshin në gjumë sa u përmendeshin Plepat ma kujtonte nxitimi i mësuesve sa afrohej kolegia Fitore… Edhe faj nuk kishin me u drue se i shoqi i saj ish i madh te Plepat…
Si gjithëherë në heshtje u hap dera dhe mësuese Fitorja shkoi te tavolina e saj. Bani apelin tue u tallë me secilin nga nxanësit që ia thirrte emnin, “Fatmir, pse ia shpie bukën dëm familjes?”, “Artan, kur i ke larë sitë herën e fundit?”, “Hana na ke sjellë ndonjë morr sot në klasë mo?”…
Mbas apelit mësuesja nxori fletoret nga çanta, kishte ba korrigjimin e hartimit të fundit…

Nji nga nji ngriti në kambë secilin tue i diftue gabimet që kishin ba…, kur mbrrini nga mesi i kapicës se fletoreve thirri Hanën që e talli për morrat kur bani apelin…
-“Hana fletoren e hartimit tënd e kam hapur gjithë frikë se mos kishte ndonjë morr brenda.”

Heshtje…vetem nja dy vajza që njiheshin si servile të mësueses provuen me qeshë, por e qeshuna e tyne ishte ma shumë si kuisje bushtrash. Shumica e klasës u ndie keq… U ndiem keq, sepse na e dinim që e ama e Hanës vuente nga një sëmundje e randë dhe kishte muej që ishte e shtrueme në spital në Tiranë. Edhe i shoqi i saj kish mbetë atje me gruen e fëmijët kishin mbetë mbas së keqi. Ishin gjashtë fmijë, 5 vllazen e nji motër dhe Hana në klasë të pestë ishte e vetmja femen në atë shpi… Kush me u kujdese për ta!? … Normal që kishin me i mblue morrat. Jetonin në nji nga katundet rreth qytetit, asokohe katundet ngat qytetit shkonin në tetevjeçare në qytet dhe u duhej me ba disa orë në kambë përditë, dimën dhe verë, shi e borë, hangër e pa hangër… Por, këto gjana nuk i hynin në sy mësuese Fitores që tallej pashpirtësisht me Hanën e shkretë pse ia patën gjetë nji morr nji ditë kur banë kontrollin e pastërtisë në shkollë.

-“Hanë, pse e ke shkruar prapë “Uki” në vend që të shkruash “Ujku?… Moj kafshë! Po sa herë të kam thënë mësohu të shkruash me mbaresën “u” aty ku është mbaresai”?”
Hana si duket e fyeme sa nuk mbante ma nga përmendja e morrave, u ngrit e i tha :
-“Msuese na “uki” i thom këndej ka Malsia. Ju prej poshti i thoni “ujku” punë për ju, vazhdoni me i thanë “ujku”, nuk u detyrojmë me e thanë si na. Secili ta mbajnë të vetën.”

E pamësueme me ndigjue kundërshtime, mësuesja u shtang… për disa sekonda, u bukos dhe nuk diti se çka me thanë. Mbasadnej si tanë njerezit që kanë pushtetin e krijuem me frikë, u turr drejt bankës së Hanës. Rresht për disa minuta kërcitën shpullat ne faqet e Hanës.

-“Moj maloke e trashë… kujt ia thua atë ti mojOre o të bëj une ty njeri o do të ta nxij jetën.” – ulërinte mësuejsa që e kishte humbe fillin…
-“Përzo kur të duesh nisja se ma zi se e kam jeten s’mundesh me ma nxi.” – ia ktheu Hana… Fyemja e mesueses ia kishte prekë ndonji nerv dikund çikës malsore, sepse edhe mbas tanë atij rrebeshi shputash, ajo nuk po nxirrte pikë loti.
Fap, fap, fap… u shtuen shputat…
-“Do të të ngordh në dru moj korbë derisa të thuash Ujku” – ulërinte mësuesja…
-“O pasha Tyrben e Shkëlzenit edhe në kopsh si krypa në prush njet se kam me i thanë ndryshe veç “Uki”Ti kur të duesh kop.” – ia ktheu Hana e mbledhun grusht…
Ulërimat e mësueses jehuen në tanë shkollën :
-“Çfarë bëj unë këtu me këta njerëz të trashë mor aman? Kemi ardhur nga anë e anës burrë e grua për t’iu qytetëruar… Dhe as për nder nuk na e dini… Malokë të trashë!”
Dhe breshni i shpullave vazhdonte tue ra në faqet e Hanës… U hap dera e klasës dhe hyni drejtori…
-“Mësuese Fitore çka është problemi?”
-“Ik qërohu birbo… edhe ti si këta je.”
Drejtori kishte ngri ne derë… as ishte ai që rrinte, as ai që ikte. Mësuesja vazhdoi me e rrahë Hanën derisa iu lodhën krahët. E Hana tanë kohën nji pikë loti s’e qiti…
***
Do kujtime në jetë njerit i shkaktojnë plagë në shpirt… plagë që me kohë shërohen, por që lanë mbrapa vragë që nuk zhduken kurrë sa të jesh gjallë… E tillë ka mbetë edhe vraga e njasaj dite të nxime në nji stinë pranvere… edhe shtatëqind vjet me rrnue sa herë ndiej dikënd që flet gjuhën letrare mue gjaja e parë që më bjen në mendje asht ajo ditë…

Ilir Seci