Deputetët shpërthejnë në lot, ja fjalimi i senatores që la pa fjalë Parlamentin Europian

206
90-vjeçarja Liliana Segre, e mbijetuar nga Aushvic dhe senatore italiane me mandat të përjetshëm në Parlamentin Europian mbajti fjalën e saj në ceremoninë përkujtimore të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, në Parlamentin Europian në Bruksel këtë të mërkurë. Këtë vit u shënua 75-vjetori i çlirimit të kampit të vdekjes Aushvic-Birkenau.
“Çfarë emocioni. Unë ekzistoj dhe gjithashtu Parlamenti Europian. Ky nuk ishte plani i dikujt”, tha senatorja Liliana Segre në nisje të fjalës së saj, duke lexuar atë që ajo kishte shkruar pak më parë për librin e nderit të presidentit të Eurocamera, David Sassoli.
Liliana Segre mbërriti në Bruksel e shoqëruar nga e bija për të marrë pjesë në seancën mini-plenare të mërkurën 29 janar, ditë kur Brexit hodhi hapin final. Para eurodeputetëve ajo mbajti një fjalim që mori vëmendjen e të gjithëve.
“Edhe sot ka njerëz që nuk duan të shikojnë dhe thonë se çlirimi i kampit shfarosës të Aushvicit nuk është i vërtetë”, tha senatorja. Duke cituar fjalët e Primo Levit, Liliana u shpreh: “Habi për të keqen e të tjerëve”, “askush që ishte i burgosur në kamp nuk mund ta harronte kurrë”.
E emocionuar Segre vijoi më tej: “Nuk mund ta ndihmonin njëri-tjetrin. Si t’ia bënim në ato kushte? Forca e jetës është ajo që duhet t’u transmetohet të rinjve sot. Ata ankohen nga lodhja në punë…Ne nuk donim të vdisnim. Hanim ç’na dilte përpara…borën e spërkatur me gjak dhe nuk kishim rrugë tjetër veç se të ecnim përpara. Ishim të rinj por dukeshim të vjetër…pa seks, pa moshë, pa menstuacione, pa mbathje, nuk duhet të kemi frikë nga këto fjalë sepse kështu i hiqet dinjiteti një gruaje. Ditë pas dite, kamp pas kampi, 29 janari i çlirimit ishte shumë larg…humba shumë miq gjatë rrugës së mundimshme”.
Senatorja shtoi në vazhdim: “Ne ende e dëgjojmë fjalën racë dhe kjo është arsyeja pse duhet të luftojmë këtë racizëm strukturor, i cili ekziston akoma. Njerëzit më pyesin pse ne po flasim për antisemitizëm dhe racizëm? Sepse ka qenë gjithmonë i pranishëm”, shtoi senatorja.
“Gjithmonë ekziston ‘një moment politik’ që është në gjendje të nxjerrë në pah racizmin dhe antisemitizmin, që janë të qenësishëm në shpirtin e të varfërve në shpirt. Momentet më të përshtatshme vijnë kur kthehemi në anën tjetër. Sepse ne vetëm shikojmë në oborrin tonë dhe themi: ‘është diçka që nuk më shqetëson mua’. Ka disa që përfitojnë nga kjo situatë dhe gjejnë terrenin e duhur për të dalë përpara”, shpjegoi Liliana Segre.
“Për tridhjetë vjet kam folur në shkolla dhe kam vështirësi të fortë psikike për të vazhduar më tej. Detyra ime është të dëshmoj, por prej 3 vitesh se nuk mund të shpëtoj nga kujtimet e mia, nga ajo vajza e dobët, e pangopur, e dëshpëruar, e vetme… dhe nuk mund të duroj më. Ndjej se kujtimet e asaj vajze të vogël që unë kam qenë dikur nuk më lejojnë të jetoj në paqe…ajo vajzë e vogël që ecte marshimin e vdekjes, që digjej nëpër biruca dhe nuk qante më është ndryshe nga unë…dhe unë jam edhe gjyshja e vetes sime dhe kjo është një ndjenjë që nuk më braktis. Unë jam gjyshe dhe ndiej se nëse nuk ndalem së foluri, nëse nuk jetoj kohën që më ka mbetur për të menduar për gëzimet e mëdha të familjes sime të re, nuk do të mund ta bëj më”, vazhdoi ajo.
“Më dukej si detyrë ta pranoja këtë ftesë për të kujtuar të keqen e të tjerëve si dhe për t’u dhënë një mesazh ‘prej gjysheje’ nipërve dhe mbesave të mi idealë të ardhshëm: ‘Shpresoj që ata të jenë në gjendje të bëjnë zgjedhje të drejta dhe të jenë të përgjegjshëm. Ndërgjegjja e tyre le të jetë gjithmonë si ajo flutura që fluturon mbi telat me gjemba'”, përfundoi Segre, duke kujtuar vajzën e vogël të Terezin, që dizenjoi një flutur të verdhë që fluturonte mbi telat me gjemba, një fantazi e mrekullueshme.
Fjala e saj u pasua nga një duartrokitje e gjatë e eurodeputetëve, që ishin të përlotur. PE më pas vijoi me një minutë heshtje me kërkesë të Presidentit David Sassoli.
Liliana Segre, u emërua senatore e përjetshme në 19 janar 2019 nga Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella.
Lindur në Milano më 10 shtator 1930 në një familje hebreje, në vitin 1938 ajo dhe të afërmit e saj u prekën nga ligjet racore të nxjerra nga regjimi fashist, me të cilat liritë e hebrenjve italianë ishin rreptësisht të kufizuara.
Me fillimin e luftës dhe intensifikimin e persekutimeve racore, në dhjetor të vitit 1943 – kur Italia veriore u pushtua nga trupat gjermane – Liliana Segre dhe familja e saj u përpoqën të largoheshin në Zvicër, por kjo tentativë rezultoi pa sukses.