“Cherchez la femme”, shqiptarët shfryjnë kundër Macron duke u tallur me të shoqen

144

Vendimi i Francës për të vënë veton ndaj çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ka shkaktuar reagime nga më të ndryshmet mes shqiptarëve. Ishte veçanërisht fraza e përdorur nga presidenti francez Emanuel Macron një ditë para samitit të liderëve të BE-së, presidenti francez, Emmanuel Macron ku tha se nuk dinte si tja shpjegonte qëndrimin e tij qytetarëve francezë.“Me Shqipërinë kemi vendosur të lejojmë lëvizje e lirë pa viza para hapjes së negociatave. Njerëzit e kanë përdorur këtë mundësi për të ardhur me mijëra për të këruar azil në Francë. Si t’ua shpjegoj këtë qytetarëve të mi këtë?”-tha Macron.

Mes reagimeve të shumëllojshme jo politike, të bie në sy “tallja” që po i bëhet presidentit të Francës duke përdorur bashkëshorten e tij, ose më saktë, diferencën e madhe të moshës që ka Macron me të shoqen. Një fotografi e Brigitte Macron po qarkullon furishëm në rrjetet sociale të shqiptarëve, të cilët po shfryjnë inatin ndaj vendimit të kreut të Elizesë, duke sulmuar zgjedhjen e tij për një grua shumë më të moshuar se ai. Madje edhe figura të njohura të ekranit nuk kanë kursyer postimet seksiste duke hyrë kështu në jetën private të presidentit francez, për ta vënë në lojë duke shënjestruar gruan e tij, çka përbën jo vetëm shkelje etike por ofendon çdo grua.

Fotografi e çiftit Macron në plazh nga revista Paris Match

Për më tepër që fotografia në fjalë nuk eshtë një fotografi reale e Zonjës së Parë të Francës, ku shfaqet një grua në moshë me kostum banjo dhe lëkurën e rrudhosur.

Gjithë ky reagim të kujton Xha Sulon tek filmi Kapedani dhe shprehja e tij e famshme e seksiste në të njëjtën kohë “Cherchez la femme”. Për Xha Sulon, çdo e keqe vinte pikërisht nga gruaja. Por ndërsa filmi bart humor e satirë për plakun me mustaqe që nuk duronte dot urdhrat e grave, shprehja “Cherchez la femme” që fjalë për fjalë përkthehet “Shiko për gruan” është krejtësisht seksiste. Shprehja që ka origjinën nga novela e Aleksandër Dyma e vitit 1854, ka kuptimin “Çfarëdo lloj problemi qoftë, gruaja është gjithnjë shkaku”.