“Çfarë kishe veshur?”…Ekspozita që rrëzon mitet se fajin për sulmet seksuale e ka viktima

225

Një ekspozitë e fuqishme ka për qëllim të hedhë poshtë mitet dhe paragjykimet e vazhdueshme me të cilat përballen viktimat e mbijetuara të sulmeve seksuale.

“Çfarë kishe veshur?” është emri i kësaj ekspozite dhe në brendësi të saj gjenden rreth 18 veshje të ndryshme të cilat u përkasin viktimave të ndryshme. Historitë e tyre janë reale. Janë histori të dhimbshme dhe prekëse.

  • Qëllimi i kësaj ekspozite është që të përballet dhe t’i japë fund mitit se sulmet seksuale provokohen nga veshja e viktimës. Ne dëshirojmë që studentët apo edhe njerëz të tjerë t’i bashkohen kësaj ekspozite, të shohin tek veshjet veten e tyre dhe të reflektojnë duke fajësuar agresorin dhe jo viktimën. Ekspozita të tilla i ndërgjegjësojnë njerëzit. Në këtë mënyrë ata nuk pyesin më “ Çfarë kishe veshur? “ por pyesin “ Si mund të të ndihmoj? “.

Jen Brockman, krijuesja e ekspozitës 

Fillimisht ekspozita u shfaq në vitin 2013 në universitetin e Arkansas-it dhe më pas rrugëtimi i saj vazhdoi në shumë universitete të tjera. Brockman, njëkohësisht dhe drejtoreshë e Qendrës së Edukimit dhe Parandalimit të Sulmeve Seksuale arriti të mblidhte histori të ndryshme të dhunës seksuale. Një histori kishte të bënte më një vajzë 6-vjeçare e cila vishte gjithmonë një fustan të verdhë. Ditën që u përdhunua ajo do të mbante edhe një prezantim në shkollë. Që nga ai moment vajza nuk veshi më kurrë fustane.

Tani Brockman po përpiqet ta shfaqë ekspozitën në çdo komunitet pasi kështu njerëzit do të kenë mundësinë ta shohin viktimën me simpati dhe të luftojnë agresorin. Ekspozita pati gjithashtu një impakt të fuqishëm edhe tek viktimat. Dhunën seksuale nuk e shkakton veshja por agresori i cili shkakton edhe dhimbje. T’u rikthejmë paqen viktimave dhe të ndërgjegjësojmë komunitetet janë pikërisht edhe dy motivet e fshehura të këtij projekti madhështor.

*Përktheu për bitchmagazine.al Emi Bibolli