A kanë të drejtë gratë të zgjedhin të kenë fëmijë ose jo? Historia e vajzës që nuk do të bëhet nënë

60

Unë isha 14 vjeç kur lexova një artikull mbi çiftet që nuk duan të kenë fëmijë, por kishin vendosur të adoptonin. Për disa arsye, kjo ide mu ngulit në kokë. Deri në momentin që lexova këtë shkrim, nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për çiftet që vullnetarisht kanë vendosur të mos kenë fëmijë. Kështu që, pas kësaj kushdo që më pyeste për planet e mia të së ardhmes, iu thosha, “Pas diplomimit, do të martohem dhe kurrë s’do të bëj fëmijë”. Të gjithë nisnin të qeshnin.

Teksa rritesha, kuptova që nuk kisha instikte amësore! Të gjithë shokët e mi do të “çmendeshin” pas fëmijëve të vegjël, ndërsa unë thjesht i shihja. Një herë pyeta mamin, “A mund të martohem dhe të mos kem fëmijë?”  “Boll fole broçkulla,- më tha ajo,- je shumë e re tani… do të flasim për këtë më vonë”

Unë isha 23 vjeç kur takova burrin tim. Një javë pasi kishim filluar të dilnim ia përmenda atij këtë fakt, “Mendoj se nuk dua të kem fëmijë…ndonjëherë”. Pas një minute heshtje, më tha, “Nuk kam menduar ndonjëherë për këtë pjesë, por nuk dua që ti të bësh diçka që nuk ke dëshirë ta bësh”

2 vite më vonë, kur do të martoheshim, i rithashë,-“Vendimi im për të mos pasur fëmijë, nuk ka ndryshuar”

Vetëm disa muaj pas martese, të gjithë miqtë dhe të afërmit tanë na pyesnin,-“Pra, kur do të nisni të krijoni një familje?” Shumicën e kohës e shmangja këtë pyetje, por ndonjëherë ju thosha të vërtetën,- “Burri im dhe unë nuk duam të kemi fëmijë”. Për këtë përgjigje, merrja vetëm kritika. Nëse nuk përgjigjesha, më thoshin se isha e ashpër. Kur përgjigjesha, më pyesnin se përse nuk duam të bëjmë fëmijë.

Por jo çdokush me uterus ka dëshirë të bëhet nënë! Thënë kjo, kur i tregova një shoqeje për vendimin tonë, ajo nisi të më mbante një leksion,- “Në ditët e sotme, vajzat janë kaq ambicioze sa i harrojnë prioritetet e tyre”. Sado që përpiqesha t’ia shpjegoja se ky vendim nuk ka lidhje fare me ambiciet, ajo refuzonte të më kuptonte.

Vjehrri dhe vjehrra, ende nuk na kanë kërkuar një nip ose mbesë, por e parashikoj që do të ndodhë. Edhe pse bashkëshorti im është shumë mbështetës, do të jetë e vështirë të bind vjehrrin/vjehrrën apo prindërit e mi.

Ndonjëherë pyes veten, pse të jetoj ashtu siç dua unë është kaq e vështirë? Unë dhe burri im e vendosim se çfarë duam të bëjmë me jetën tonë. Për momentin duam thjesht të jetojmë, pa na futur të tjerët hundët në jetët tona. Unë jam thjesht një grua 30 vjeç që nuk do të bëhet mama. Dua të them: Ku qëndron problem këtu?

Marrë nga “Humans of Bombay”

bitchmagazine.al