A është feminizëm edhe kur një grua zgjedh të jetë nënë e bashkëshorte me kohë të plotë?

27
Mesa duket, të tridhjetat janë shifër e “frikshme” për shumë vajza beqare në çdo skaj të globit. Presioni mbi një realitet shoqëror të cilësuar si i pashmangshëm, si lidhja apo martesa në moshën 30-vjecare nuk kursen as vajzat e bukura e të talentuara, që parë nga ekrani duket sikur kanë gjithçka e nuk shqetësohen për asgjë.
E gjendur përballë “teorive” shoqërore se si duhet të jetë jeta në varësi të moshës, aktorja Emma Watson ka rrëfyer presionin që ka ndjerë nga fakti i të qenit beqare. Jo një beqare e çfarëdoshme, por një vajzë në prag të tridhjetave.
Ylli i Harry Potter, e cila feston ditëlindjen e 30 në prill ka vendosur ta cilësojë veten si “e vetë-partnerizuar/ e lidhur me veten (self-partnered)” vetëm e vetëm që të shmangë termin “beqare”. Ajo ka deklaruar se ka pasur një vit të vështirë pasi ka pasur në kokë shumë ide që tregojnë se si duhet të jetë një vajzë në moshën e saj. Watson ka rrëfyer se është ndjerë e stresuar dhe e shqetësuar nga fluksi i mesazheve të nënkuptuara që i drejtohen një vajze beqare pasi feston ditëlindjen e 29.
“Nëse jeni duke iu afruar ditëlindjes së 30 e nuk keni blerë një shtëpi, s’keni burrë e një fëmijë, nuk keni një punë të qëndrueshme e të sigurt…ankthi do të jetë i jashtëzakonshëm”, ka deklaruar ajo. Aktorja shton më tej se ndihet e lumtur se është beqare, por shton opsionin e një “romance” me veten.
Watson ka folur në shumë raste për të drejtat e grave, ndërsa njihet si avokate e lëvizjes “Time’s Up”, e cila lufton ngacmimin seksual në industrinë e filmit. Vitin e kaluar ajo dhuroi 1 milionë £ për Fondin e Drejtësisë dhe Barazisë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili synon t’i japë fund ngacmimeve seksuale në Britani.
 Aktorja po xhiron filmin e ri “Little women” në të cilin luan rolin e Meg, e duke komentuar këtë projekt ka deklaruar: “ Me karakterin e Meg, kuptojmë se mënyra e saj e të qenit feministe është të jetë e lirë të bëjë vete zgjedhjen, sepse ç’është e vërteta, ky vshtë thelbi i feminizmit.
Zgjedhja e saj është se ajo dëshiron të jetë nënë dhe grua me ‘kohë të plotë’. Ndërsa për Jo( një rol tjetër në film) të jesh e martuar është si një lloj dënimi me burg. Por Meg thotë: ‘Unë e dua tim shoq dhe jam e lumtur, kjo është ajo që dua…Dhe vetëm sepse ëndrrat e mia janë të ndryshme nga tuajat, nuk do të thotë se janë të parëndësishme”.
Është pikërisht ky koncept që “reklamohet” nga një film i cili do të transmetohet në dhjetor të këtij viti, që na nxit të pyesim lexuesit tanë: A është feminizëm edhe kur një grua zgjedh të jetë nënë e bashkëshorte me kohë të plotë?