3-fishohen thirrjet për ndihmë gjatë pandemisë, në Durrës 6 urdhra mbrojtje në ditë

23

Trefishohet numri i thirrjeve për ndihmë nga viktimat e dhunës në familje për periudhën e pandemisë së Covid-19. Shifrat e publikuara nga AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, tregojnë se Linja Kombëtare për Gratë e Vajzat 116117 ka marrë rreth 2000 telefonata gjatë periudhës së izolimit prej pandemisë 10 mars – 18 Maj, duke shënuar një trefishim të telefonatave në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2019.

Po nga të dhënat e këtij rrjeti, rezulton se rreth 534 raste dhune dhe trafikimi janë mbështetur nga organizatat e AWEN, nëpërmjet ofrimit të qindra këshillimeve psikologjike e ligjore në distancë apo me asistencë konkrete ligjore. Rritja më e lartë në kërkesat për ndihmë dhe mbështetje është vënë re në qarkun e Dibrës (125%) Elbasanit (100%), Shkodrës (76%), zonën e Pogradecit (58%) dhe Durrësit (50%).

“Vetëm gjatë muajit Maj, në ditë të caktuara Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka lëshuar deri në 6 UMM në ditë”- thuhet në një raport të AWEN.

Organizatat anëtare të AWEN kanë vënë re një shtim shumë domethënës të rasteve që kanë kërkuar ndihmë gjatë periudhës së karantinës krahasuar me muajt janar dhe shkurt apo me të njëjtën periudhë në vitin parardhës. Kërkesat për ndihmë kanë të bëjnë kryesisht me hapat që mund të ndërmarrin nëse dhuna përsëritet apo shtohet gjatë izolimit, vërtetim i Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes dhe lëshim i Urdhrit të Mbrojtjes, zgjatje të Urdhrit të Mbrojtjes, denoncime të rasteve të dhunës, mbështetje psikologjike dhe këshillim lidhur me si ta mbajnë nën kontroll situatën, këshillim lidhur me shëndetin mendor të rënduar për shkak të izolimit dhe frikës për episode dhune, etj.

Sipas AWEN, përqindja e denoncimeve/raportimeve në polici nuk paraqet situatën reale të dhunës në familje, pasi shumë viktima dhue nuk kanë kërkuar ndihmë për arsye të ndryshme, si: mungesa e aksesit në informacion për shkak të izolimit; viktima dhe dhunuesi jetojnë në të njëjtën banesë dhe lëvizjet e saj kanë qenë të monitoruara nga dhunuesi; kufizimit të lëvizjes së qytetarëve në përgjithësi dhe frikës nga sanksionet administrative dhe penale në rast lëvizjeje; mungesa e një strehe tjetër alternative, etj.

Pavarësisht izolimit si pasojë e epidemisë së Covid-19, organizatatat anëtare të AWEN (10 organizata që punojnë kryesisht në 8 rajone të vendit (Tiranë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Durrës, Sarandë, Pogradec, Peshkopi) dhe disa prej tyre kanë edhe mbulim kombëtar për shërbime lidhur me viktimat e dhunës dhe trafikimit) kanë vijuar aktivitetin dhe ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje dhe viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit dhe fëmijët e tyre. Prej datës 10 Prill 2020, bazuar në Urdhrin Nr. 254 të MShMS në strehëzat e organizatave që ofrojnë shërbim strehimi po zbatohet “Protokolli i emergjencës COVID-19 për strehëzat”.

Gjatë kësaj periudhe, organizatat kanë vendosur në dispozicion të publikut numrat e kontaktit të specialisteve (psikolog, avokat, punonjës social) të cilët kanë ofruar shërbimet përkatëse nëpërmjet telefonit në oraret 08.00-17.00 ose edhe 24 orë/7ditë. Përpos këshillimit psikologjik e ligjor është ofruar shërbim me përfaqësim në gjykatë për pajisjen me urdhra mbrojtje, si dhe mbështetje psikologjike në komisariatet e policisë për viktimat e dhunës, etj. Gjithashtu, janë referuar në njësitë administrative përkatëse. si dhe ndihmuar konkretisht me paketa ushqimore shumë gra viktima të dhunës në familje të cilat po përballen me vështirësi ekonomike.