Unë jam Marsida dhe nuk i jap llogari njeriu për jetën time!

326

A mbeti vajzë e grua në këtë tokë që nuk u gjykua një herë, për veprimet apo mos veprimet, për trupin, veshjen, madhësinë e hundës apo gjatësinë e vetullës?

Anxhelën kur e takova në një seancë trajtimi më tregoi se sa e vuante te pasurit gjoksin e madh. -Shumica e burrave kujtojnë se madhësia çon në joshje dhe automatikisht mendojnë se po i gjuaj, tha ajo.

Zamira vuan nga kompleksi se nuk do gjejë kurrë një njeri për të qenë sepse ajo ka pasur dy lidhje më parë dhe mendon se nuk është e denjë. Të paktën kështu ia ka ngulitur në mendje  shoqëria rreth e qark saj ˝Vajzat e mira nuk bëjnë këto lloj gabimesh˝

Elisabeta, në momentin që gjeti dikë që e donte, doli se nuk ishte ai shumë i sigurt më pas, sepse shokët i kishin thënë që ajo ka qenë “e lëvizur”.

Dona kurrë nuk e pyeti të dashurin e saj se sa lidhje kishte pas ai para saj, ndersa ajo ende i jep llogari se kujt ia dha puthjen e parë.

Besa e kthyer nga Italia duhet të sqarojë çdo djalë që ajo del se atje ajo ka punuar në një dyqan dhe ka pasur një lidhje të gjatë.

Unejsa është sot 25 vjeç dhe ka frikë të martohet edhe pse shumica i thonë ec se po të ikën mosha. Ajo duhet të shpikë lloj lloj justifikimesh për të shtyrë martesën.

Tina po përjeton ferr sepse këtë verë do i prezantojnë dikë që vjen nga jashtë por askush se di që ajo ka pas një lidhje më parë. Çfarë do tˋi thotë ajo burrit të ardhshëm..

Klesta e martuar me dashuri 18 vjeç, lindi vajzën 19 vjeç dhe u divorcua 30. Pothuaj të gjithë e keshillojnë mos të martohet se e ka vajzën prag adoleshence dhe si dihet me një burrë të huaj në shtëpi.

Anisa po i mbush mendjen prindërve të saj dhe të burrit, se nuk është gati të sjellë në jetë një fëmijë në këto momente sepse ka një punë të cilën duhet ta investojë edhe për pak vite.

Përse duhet të quhem e mbetur në derë, më rrëfen Ina, kur nuk kam pasur mundësi të takoj dikë që më përmbush. Unë kam një super profesion dhe askush nuk e sheh këtë. Si duhet ti bëj të tjerëve ta kuptojnë këtë gjë?

Holta e lindur në një fshat u martua fare e vogël. Burri i saj emigrant vinte një herë në vit. Ajo u dashurua me komshiun e saj të cilin e shihte si të vetmin gezim të ditës. Ajo as e mendon divorcin sepse s’ka se ku të përplaset. Holten nuk e lanë të bëjë as shkollë, nuk di asnjë zanat, asgjë.

Ai, tha Vilma më kërkoi një foto timen kur ishim të lidhur dhe ia dërgova. Kur nuk doja të isha më e lidhur me të më kërcënoi se do i përhapte në të gjithë rrjetin social. Të gjithë më thonë:  “Mirë ma bëri se më donte qejfi”. Po ai përse trajtohet pa faj, madje si hero?

“Ajo çfarë s’ka bërë vite më parë dhe tani është mbuluar na është bërë besimtare”. – Kështu kam dëgjuar të thonë për mua, thotë Zana mes lotëve.

Unë jam Marsida, dhe më lumtë sepse nuk i jap llogari njeriu për jetën time.

Marsi Simo/eksperimentmeveten.com