Trupin ja përdhunuat por shpirtin jo, s’do të mundeni!

445

Gruaja, është ajo pa të cilën, o i shkretë, do të ishe një farë bime boshe që s’do të mund të mbije asgjëkundi. As dheu, s’do të të pranonte se i dhemb loti i të pafajshmes që ti zvarrisje mbi tokë, për ti mohuar jetën (dhuruar prej Zotit). Gruaja, pa të cilën, ti o i mjerë do të ishe i verbër dhe s’do të mund të shihje ngjyrat e jetës që ajo pikturoi me penelin që Zoti e pat porositur në parajsën e tij kur i tha : “Urdhëro dhe bëje botën si vetja!”

Gruaja, pa të cilën do të ishe një i pastrehë në mungesë të strehës së ngrohtësisë që veç në zemrën e saj ekziston. I ftohti s’do të lejonte të doje as veten, sepse pa të s’do të dije kurrë se çfarë është dashuria e vërtetë. Vetëm me faljen e saj do të rimishërosh shpirtin nga vrarja e ndërgjegjjes dhe pa të, s’do të kishe kurrë paqe. Pa kraharorin e saj, do të mbështesje kokën në mermerin e akullt ku netëve do të përpëliteshe nga i ftohti si një i droguar në mungesë të narkotinës.

Të shkruash për gruan është art më vete. Ajo është një ekuacion që asnjë matematicien s’do të mund ta zbërthente, ndaj mos e shih si një karrike ku të ulesh. Mos e shih si një robë e dalë jashtë mode, edhe sikur e zhveshur tërësisht, askush s’mund ti përdhosë emrin. Trupin ia përdhunuat por shpirtin nuk mundeni. E vetmja gjë e çmuar që i ka mbetur është identiteti tek vazhdon ashtu krenare. Edhe pse herë e braktisur, herë e baltosur, ajo nuk ulet kurrë në gjunjë.

Ia ndrydhët ndjenjat, ia mbyllët gojën. Por s’keni mësuar asgjë për jetën nëse s’kuptoni gruan. Nuk dini akoma asgjë. Ajo është hyjneshë, di dhe të heshtë, por jo nga frika e zinxhirit që mbani në duar për të dënuar atë në çdo gabim të imponuar pikërisht nga ju. Por kujdes! Nëse ajo lëshon qoftë edhe një tingull, a fjalë, mos harro se zëri i saj është jehonë dhe ti mund të mbetesh I shurdhët përjetë!

Nga Etleva Kupsi