Protesta lakuriq, Tabaku: Ju burra vetëm këtë gjuhë kuptoni!

104

“Gratë përdhunohen, por gratë e kanë fajin vetë se u kruhet.”

“Gratë përdhunohen, por gratë e kanë fajin vetë se nuk dinë me eduku djemtë e vet.”

“Gratë përdhunohen, por gratë e kanë fajin vetë se nuk dinë me protestu.”

 

Të dashtun burra shqiptarë, ja ku po jua them, të tana gratë e vajzat që keni në shtëpi i përdhunojnë ÇDO DITË me fjalë, me shikime, me prekje, me trajtime, me veprime. E në qoftë se i keni ndry, për mos me u ndodhë, domethënë se po i përdhunoni ju vetë.

5 vjeçe kam qenë unë, 5 m larg shtëpisë, rrugës me ble sheqer filip, kur një grup djemsh të vegjël më rrethuen me fjalë e të qeshuna të pista e më traumatizuen. 25 vjet më janë dashtë me e kuptu se unë nuk kisha ba gja. Sa herë në ditë, në javë, në muej, në vit, në jetë u ndodh grave që keni përreth me u ndeshë me kësosh? E mandej del në diell trajtimi çnjerëzor i një vajze të vogël, por ju skandalizoheni se një vajzë ka protestu lakuriq? Si nuk ju dridhet pena kur ia lejoni vedit me u skandalizu se vajzat nuk po protestojnë në rresht për dy, me pankarta me fjalë të edukueme, që nuk po sillen si hyjni edhe në çastin e zorit? Kësaj i thonë, grueja digjet e burri krihet.

Unë me qenë burrë nuk më kishte mbajtë dheu kur e di se m’i përdhunojnë gratë që kam përreth ÇDO DITË, nuk më kishin mbajtë muret e shtëpisë, nuk më kishte mbajtë trupi jem dhe kisha dalë ÇDO DITË në rrugë me thirrë: BOLL MA! NUK E KANË FAJIN GRATË!

Nëse u kruhet u kruhet për qejfin e vet, jo për qejfin e burrave.

Nëse edukojnë keq, ku kanë me e mësu edukimin e mirë, kur i kanë përdhunu tanë jetën?

Nëse protestojnë lakuriq e bajnë pse e kanë kuptu se ju vetëm atë gjuhë kuptoni.

E ato pak vajza e gra që guxojnë me dalë e me thirrë, ato i kisha mbështetë. E nëse nuk jam aq i guximshëm sa me i mbështetë, të paktën e kisha mbyllë gojën, gratë e vajzat boll po i përdhunojnë megjithatë.

Por ju vajza e gra, hiç mos u tutni, veç bërtitni, me tesha a pa tesha: BOLL MA!

Nga Entela Tabaku