Një prostitutë për “synin e keq”,- nga Rozafa Shpuza

109

Prostituta

Në qytetin me kambë zhytun në rrjedha ujnash, ku biçikletat s’prajnë tue përshkue virgjninë e rrugicave qorre, frymon një prostitutë bionde. Kaq e madhe asht pesha e kësaj fjale për zotnillekun e këtij qyteti, sa ekzistenca e prostitutës, herë-herë, merr trajtën e atyne legjendave urbane, që përshkruhen ndër romanet me fletë të zverdhuna, që tash shiten në rrugë si teshat e përdoruna.

Ky fakt, njiherësh fatlum e fatkeq, dikton ndjesinë e paspjegueshme që silueta e saj me pasë ndikim të skajtë në imagjinatat e banorëve, qysh prej ma të riut e deri te ma plaku. Kurgja tjetër nuk e hallakatë ma fort përditën e zhegitun, që kalamendet prej fushës me kosha katundarësh të endun me thupra, deri te hija e kalasë, qindisun prej rrjetash të nderuna bri vajit të shelgjeve.

Prostituta përshkon indiferente habinë e kalimtarëve, teksa zhduket si mirazh në rrotullimin e telave të biçikletës së saj “Mifa”. Kërkush nuk ka kurajë me e pa në sy, prandaj silueta e saj hamendësohet prej secilit si nji pazëll, ku copat e dëshirave intime shtohen e hiqen me nji ritëm absurd.

Hamendjet e banorëve kapërthehen ndërvedi e jehona i shumon tue i kthye rishtazi si lajme të freskëta ndër tavolinat e zhurmshme të kafeve, nadje herët në radhën e tamblit apo ndër bordurat ku djemtë pinë cingare…

Burrat shpalojnë tana imagjinatat erotike tue hamendësue nji natë me të, kurse gratë lakmojnë dekoltenë, ku cicat tunden pa pasë nevojën e nji reçipeti puplini me tegela horizontalë, që u përgjasin tarracave në kodrinat e Jugut. Anipse asnjena nuk ia pohon shoqes, secila imagjinon me kenë nji herë në vend të saj, me kenë joshëse e me jetue si ndër ato filmat elektrik blu, që përfliten aq shumë ndër muhabete burrash…

Qyteti ka kode të moçme dhe e din mirë se fjalët e hallkut e birat e gardhit nuk mbyllen kurrë, por kërkush nuk din me diftue pse u ba paqe me këtë siluetë që mbiu papritë në qytet, diku në kat të gjashtë të nji pallati të rrjepun suvaje. Nji plak tha se duhet për synin e keq e kjo u vuni kapakun tana kundërshtive… r.sh (shkurt 2019)

Nga Rozafa Shpuza