Ndaje mendjen Ledina, s’mund të jesh ekstravagante dhe diskriminuese në të njëjtën kohë!

616

“Vajza është si kristali, ndërsa djemtë lahen me një pikë ujë”. S’besoj të ketë shqiptar e shqiptare mbi 30 vjeç që nuk e ka dëgjuar këtë shprehje nga prindërit apo të afërmit. Një nga fjalitë që rëndom është përdorur për ti kujtuar vajzave se nuk mund të kenë eksperiencat jetësore apo të dashurisë njëlloj si djemtë, pasi këta të fundit “lahen me një pikë ujë” pas çdo experience e nuk u mbetet “njollë”. Ndërsa vajza “damkoset”.

Por ta dëgjosh këtë, pavarësisht se të artikuluar pak më ndryshe, nga një artiste me famë e të afirmuar që nuk “ia kurseu” të pasmet e saj seksi mbarë Shqipërisë në Festivalin e Radio Televizionit Publik Shqiptar në 2016-ën, se si tingëllon. Veç, kësaj, këngëtarja njihet për performancat e saj mjaft ekstravagante në skenë.

Të shtunën e kaluar, Ledina Çelo ishte e ftuar në emisionin “Xing me Ermalin”, ku mes të tjerash foli edhe për fëmijët e saj dhe bashkëshortin. Ajo tha se është një nënë liberale e madje djalit i thotë të shijojë jetën e më pas të martohet.

E pyetur me humor nga prezantuesi Mamaqi, nëse ja ka gjetur nusen djalit, këngëtarja u përgjigj: “Jo more jo, unë i them djalit të bëjë qejf, të shëtisi. I them- të keqen mami mos u marto shumë i ri. Jam nënë shumë liberale. Kam qejf që çuni të provojë shumë. Kurse për gocën është ndryshe”.

Ledina Çelo thotë se është nënë liberale, por vetëm për djalin. Për vajzën është ndryshe. Si ndryshe? Pse duhet të jetë ndryshe? A ka kuptim që të vazhdojmë ti mësojmë dy gjinitë të jenë kaq të diferencuar në mënyrën se si duhet të jetojnë dashuritë dhe eksperiencat e tyre?

Natyrisht, s’na takon ne të gjykojmë se si Ledina Çelo zgjedh të rrisë fëmijët e saj. Por sa i shkon për shtat një artiste, një gruaje të suksesshme të bëjë të tilla dallime gjinore, përballë një shoqërie që vazhdon të vuajë pasojat e dhunës dhe diskriminimit të vajzave dhe grave?

Veç kësaj, po atë mbrëmje në “Xing me Ermalin”, këngëtarja foli dhe për episodin në Festivalin e RTSH-së, ku paraqitja e saj skenike u prit me shumë kritika për shkak të veshjes të tejdukshme. Gjatë emisionit, Ledina sqaroi se nuk ishin bërë prova gjenerale përpara se të dilte në transmetim dhe nuk e kishte menduar që do të dukej aq shumë. “Kur pashë veten në transmetim të jem e sinqertë nuk më pëlqeu. Ekstravaganca ka qenë tek unë dhe unë nuk paragjykoj, skena i ka këto, por nuk jam pro ekzagjerimit”.

Ndërsa kur Mamaqi e pyeti se çfarë i tha burri atë natë, artistja u përgjigj: Ai është shumë liberal, por ne na vret më shumë opinioni. Unë asnjëherë nuk e kam vrarë mendjen sepse artisti nuk duhet të paragjykohet”.

Vetë këngëtarja e ka pranuar se opinioni “të vret”, ndërsa ajo vetë jep mesazhe aspak inkurajuese për të këtë opinion (shoqëri) që në fakt duhet të ndryshojë. Dhe që të ndryshojë, përgjegjësinë më të madhe e kanë pikërisht njerëz me peshë publike, siç janë dhe artistët, përfshirë këtu dhe Ledina Çelon e cila ka arritur të thyejë shumë tabu në skenat shqiptare.

Veç kësaj, ajo kërkon që artistin të mos e paragjykojnë, por në të njëjtën kohë, thotë me plot gojë se vajza në përgjithësi është e paragjykuar, së pari nga vetë ajo si nënë. Një grua dhe artiste mendje hapur por diskriminuese ndaj vajzës? Sikur nuk qëndron, por gjithësesi, jeni të lirë të keni gjykimin tuaj mbi këtë.