Mallkimi i virgjërisë

1598
Kisha dëgjuar dikur, në vogëli nga më të mëdhenjtë shprehje të tilla si: Femrën e virgjër po e shtive në dorë, e ke tënden përjetë. Nuk të ikën edhe sikur t’ia presësh mishin me thikë- dhe isha çuditur sesi një akt i tillë zinte një vënd kaq themelor në një marrëdhënie. Më pas e mendoja si batutë, e më vonë si legjendë. Por prapë vërtetësia e saj e tmerrshme kthehej në fakt teksa shihja Mirën, e cila dhunohej sistematikisht nga Petriti, i dashuri i saj, madje dhe në rrugë por vazhdonte të qëndronte me të.
Dhe Petriti shpesh herë me gjoksin e fryrë, mburrej e krekosej se Mirën e kishte “kapur të paprekur” dhe tani mund të bënte çfarë të donte, dhe përsëri ajo do kthehej tek ai si një kotele. Mira ishte vajzë e bukur, me sy të zinj e flokë në ngjyrë të çelur. Ishte më e madhja nga fëmijët dhe i ati i kishte vdekur në mal teksa priste dru me motorsharrë. E mbaja mend gjithmonë teksa ecte rrugës me shikimin poshtë dhe me hapin e shpejtë përherë në nxitim. Me Petritin nuk shkonin fare, por thuhej se i mbante bashkë virgjëria e humbur e saj dhe krekosja prej dalëzotësi i Petritit.
Pas disa vitesh mora vesh se Petriti ishte martuar, por jo me Mirën. Ndërsa Mira kishte përfunduar në çmendinë. E nisa me këtë “legjendë” si pararojë e historisë sime. Në vitin e fundit të shkollës së mesme njoha Aldën. Alda ishte në vit të dytë në të njëjtën shkollë me mua dhe të jem i sinqertë nuk ma merrte mendja kurrë që ajo do bëhej e dashura ime. Alda ishte e gjatë, sytë e saj jeshile ndriconin nën refleksin e diellit. Flokët bionde i vareshin mbi supe si një copë reje e shtrirë dhe vetë ajo, ishte një copë qielli i bukur. Të gjithë e lakmonin Aldën po ja që në fund triumfova vetëm unë. Ditët e para të lidhjes sonë ishin mrekulli. E puthja dhe në ato çaste ndjeja veten pjesë të një tjetër bote. Të asaj botë të përfytyruar të cilën nuk kisha guxuar kurrë ta ëndërroja apo me tepër si pjesë të realiteti. Dhe shëtisnim kudo, shkonim kudo bashkë. Putheshim, duheshim, qeshnim bashkë. Tregonim histori batuta dhe jeta për ne, i ngjasonte asaj lëndinës së pafundme me bar dhe lule ku mbi të, qielli i kaltër i gëzohet jetës.
U dashurova me Aldën dhe shpesh më kaplonte ideja e braktsjes dhe mundimit tim në rast se ajo ikte. I kerkova një ditë të bënim seks dhe ajo me gjysëm zëri më tha se ishte e virgjër. Këtu përpjekjet e mija u shtuan dhe marrja e virgjërisë saj u kthye në mision. Deri sa erdhi dita e shumëpritur kur ajo u dorëzua dhe unë teksa pashë gjakun që i rridhte nga vagina, ndjeva njëfarë krenarie të fortë e cila pas shumë kohësh më kujtoi portretin e Petritit. Atë ditë i dhurova një varëse, të cilën më vonë sa herë ja shihja më ngjante si një vulë ku shkruhej me shkronja imagjinare ” Kjo vajzë është e jotja përgjithmonë”. Varëse që u kthye në simbol të robërimit. Aldën e doja por tashmë kisha në dorë një armë të fortë, të cilën do e shfrytëzoja.
Më kujtoheshin fjalët e dikurshme të cilat ma shtonin sigurinç dhe në këtë pikë, qëndrimi im ndaj saj ndryshoi. Nuk dilnim më si më parë. Nuk e puthja më me epsh si më parë dhe tregimet tona u kufizuan në biseda të rëndomta të cilat më së shumti u ngjanin belbëzimeve të pakuptimta. Filluan zënkat, Alda qante më shpesh dhe unë më shpesh nervozohesha. Kaluan shumë ditë nën këtë trysni, ditë të mbështjella me asgjë dhe Alda, copa e qiellit e dikurshme, tani nuk ishte më e njëjtë. Vetëm qante dhe sa më shumë qante ajo, aq më shumë siguri ndjeja unë. Virgjëria e saj më kishte dhënë pushtet absolut. Deri sa një pasdite vere, të ulur në një kafene buzë rrugës Alda hoqi varësen që ja kisha dhuruar, e keputi në copa të vogla dhe ma hodhi në fytyrë. Iku duke qarë me kokën ulur dhe në ikjen e saj, pashë shëmbëlltyrën e Mirës së dikurshme.
Ditët e para nuk reagova, pasi mendoja se do rikthehej. Virgjëria do e sillte me patjetër tek unë. Por pas shumë ditësh, në të cilat Alda nuk u bë e gjallë shkova ta kërkoja. E gjeta në kafenenë e lagjes saj. Me një pamje të re, e sigurtë dhe e bukur si më parë biles më e bukur se më parë. Me tha se s’më donte më dhe se jeta për të kishte rinisur sërish dhe në fjalinë e saj të fundit, shqiptoi fjalët: Më harro! Ditët që pasuan ishin ditët më të trishta të jetës sime. Kuptova se kisha humbur një njeri të rëndësishëm dhe kufijtë e vendosur në kokë nga teorite idiote kishin qënë kurthi i jetës sime.
Alda sot është martuar dhe i gëzohet jetës saj, ndërsa unë i përndjekur nga mallkimi i “virgjërisë” kundroj ecejaket e botës në pritje të fatit tim. Atij fati që në të vërtetë nuk përsëritet dhe nuk mban më portretin e Aldës. Alda në ndryshim nga Mira, i doli zot fatit të saj dhe virgjërinë e humbur, këtë dogmë të lidhur me vargonjtë e hekurt të mentalitetit e la pas në harresë si një fragment jete të cilin duhet ta trajtosh si vazhdimësi dhe jo si kurth. Kurth ku femra në ndryshim nga mashkulli, bie dhe ngrihet sërish.
Nga Liridon Mulaj për Bitchmagazine