Historia e Oltës, ëndrra për një familje të bashkuar që i kushtoi 10 vite dhunë 

126

Historia e Oltës, ëndrra për një familje të bashkuar që i kushtoi 10 vite dhunë

Ëndërra për të mbajtur me çdo kusht familjen të bashkuar, i kushtoi 10 vite dhunë fizike dhe psikologjike Olta S. E diplomuar për mësuesi, kur nisi lidhjen e dashurisë me fizioterapistin që i mori zemrën, asokohe vetëm 25 vjeçe, as e kishte menduar se në çfarë spiralesh shpirtërore do të duhej të kalonte.

“Isha rritur me idenë për të qenë gjithmonë të bashkuar. Për këtë arsye kam duruar me vite të tëra një presion psikologjik të vazhdueshëm, më demotivonte, më shante, më thoshte që isha e pazonja për t’ia dalë vetë, që unë unë nuk dija të bëja asgjë, aq sa fillova e humba besimin në vete. E gjitha kjo shumë shpejt u kthye në dhunë fizike”, – tregon me dhimbje histporine e saj 35-vjecarja.

Sot, pasi i ka dhënë fund kësaj marrëdhënie të vështirë 10 vjeçare, ajo gjendet në udhëkryq dhe pa mbështetje.

“Nuk e di se ku duhet të trokas. Ku duhet të kërkoj ndihmë. Jam një grua e dhunuar, me dy urdhra mbrojtjeje, me dy fëmijë të mitur, pa shtëpi, pa punë…cili është ai institucion që unë duhet të shkoj? Që duhet të më japë një dorë? Asnjë nuk pyet për ne, mjaftohen me një urdhër mbrojtje dhe na harrojnë që në atë moment”, -rrëfen e dëshpëruar ajo.

“Po të mos ishte për familjen time që më ka mbështetur, as nuk dua ta mendoj se çfarë do të kishte ndodhur me mua dhe dy djemtë e mi”, – shton më tej Olta.

Me dy djem të vegjël, njëri 9 dhe tjetri 5 vjeç, me dy urdhra mbrojtje, dhe me peshën e paragjykimeve e diskriminimit mbi supe ajo rrëfen se nuk e ka të lehtë të rifillojë jetën.

“Ishte një marrëdhënie shumë posesive dhe ish bashkëshorti nuk më lejonte të punoja. Procedurat e divorcit ishin shumë të komplikuara dhe zgjatën më shumë se një vit. Aktualisht kam mundur të gjej një punë provizore në një kopësht privat, por nuk e kam aspak të lehtë”, – thotë Olta.

“Kam tentuar me qindra mundësi të tjera punësimi. Por sapo u thua që jam e divorcuar, të përplasen dyert në fytyrë. Më kanë paragjykuar, më kanë diskriminuar me dhjetra herë vetëm sepse jam e divorcuar. Dyshojnë se mund t’ia dal, se mund ta lë punën, se mund të vijë ish bashkëshorti tek puna e tu hapë probleme dhe kështu refuzojnë të më marrin në punë. Është absurde e gjitha kjo”, – shpjegon Olta, ndërsa nuk e fsheh dhimbjen që ndjen pas çdo dyshimi që ngrihet mbi të.

Por pavarësisht të gjitha formave të dhunës që pësoi përgjatë një dekade mbi vete, ajo u bind që të dilte nga kjo marrëdhënie, vetëm kur ish bashkëshorti filloi të dhunonte edhe djalin e mitur.

“Kulmi arriti kur ai filloi të vinte dorë mbi djalin e mitur. E kam duruar çdo lloj dhune mbi mua, por për mua ishte dramatike kur pashë fëmijën të fluturonte në ajër nga dhuna e babait të tij. Kjo i vuri kapak çdo gjëje. Ishte ky casti që vendosa se familja, me gjithë këmbënguljen time, nuk kishte më kuptim të mbahej në këtë formë. Dhe i dhashë fund”, – rrëfen Olta, e cila tregon se që pas divorcit i ati nuk është interesuar më për dy djemtë e tij.

E çliruar nga martesa, tashmë Olta “ëndërron” një shtëpi për vete dhe dy djemtë e saj ku të nisin jetën e re së bashku. Por kjo duket thuajse një mision i pamundur.

Aktualisht ajo jeton në shtëpinë e prindërve të saj dhe ka aplikuar për bonus social pranë bashkisë së Tiranës, por është skualifikuar, nën argumentin absurd se nuk mund të marrë një shtëpi me qira nga një familjar.

“Prindërit jetojnë me vëllain dhe mua më kanë lënë shtëpinë e tyre, por nuk mund të ma lënë përjetësisht falas. Kam aplikuar pranë bashkisë së Tiranës për subvencionimin e qirasë, i plotësoj kriteret por nuk e kam fituar bonusin e qirasë, pasi konsiderohet konflikt interesi nëse pronari social është një familjar. Me gjithë këto paragjykime që më përndjekin, unë mezi kam arritur të gjej një punë provizore dhe jo më shtëpi me qira. Le të ma gjejë bashkia dhe unë jam gati të shkoj kudo që ata të ma gjejnë, por nuk mund të më lënë rrugëve”, – thotë ajo.

Olta nuk është e vetmja grua e divorcuar që përballet me sfidën e strehimit, pasi del një lidhje/ martesë merr fund.

Ndonëse referuar ligjit të strehimit, gratë me urdhër mbrojtje janë një kategori prioritare për të përfituar strehim, projektet që aplikon pushteti vendor nuk rezultojnë efikase.

Marinela Sota, pedagoge pranë fakultetit te Shkencave Sociale te Universitetit të Tiranës ka monitoruar dhe ka hartuar nje raport mbi “Efektivitetin e strehimit social në bashkinë e Tiranës për gratë kryefamiljare dhe viktima të dhunës në familje”, në maj te 2021-ishit në kuadër të projektit Lëviz për strehimin e grave të dhunuara.

Të dhënat e këtij raporti tregojnë se pavarësisht se në Tiranë lëshohen cdo vit rreth 400 urdhra mbrojtje të mejëhershëm per gratë viktima të dhunës në familje, aksesi në projektet e strehimit të këtyre grave është thuajse një mision i pamundur.

Sipas këtij raporti përgjatë viteve 2019 dhe 2020, vetëm 9 gra, viktima të dhunës në familje kanë mundur të përfitojnë nga programet e strehimit të bashkisë së Tiranës, nderkohe qe pergjate viteve 2017-2018-2019-2020 kane aplikuar ne total 22 gra viktima te dhunes ne familje apo te trafikuara dhe 20 prej tyre kane perfituar.

“Pata një moment që ngela në rrugë së bashku me fëmijët dhe e mendova sërish të kthehesha tek ish bashkëshorti, por nuk e bëra, – na tregon një grua e dhunuar. – Për ne gratë nuk ka shumë zgjidhje. Askush nuk na e zgjat dorën”.

Raporti vë në dukje se bashkia e Tiranës megjithese nuk ka gati ende strategjinë e strehimit social 5-vjeçar, ama është kujdesur që për këtë kategori në nevojë të vendosë një sërë procedurash të gjata, të komplikuara dhe me shumë kosto për familjet që duan të përfitojnë nga këto projekte strehimi. Si pasojë i stepin këto kategori për të aplikuar.

“Nga këto projekte përfitojnë ata gra që jetojnë në varfëri dhe që janë në nevojë ekstreme për t’u strehuar pasi kanë marrë jë urdhër mbrojtje… çfarë dokumentesh të noterizuara u kërkon ti, kur nuk dihet nëse do ta përfitojnë apo jo? 2400 lekë të reja që kushtojnë nuk janë pak për një familje që nuk ka asnjë të ardhur, po koha për të bredhur san ë jë zyrë në tjetrën. Ata janë gra që dhunohen, këto dukemente duhet tua plotësojë njësia vendore dhe jo t’I lënë të sorollaten”, – thotë Ina Kasimati, aktiviste e cila nisur nga problematikat e shumta të hasura nga kjo kategori grash po drejton nprojektin “Advokim, studim, monitorim i politikave/buxhetit të Bashkisë së Tiranës në lidhje me strehimin social (bonus qeraje/kredi të buta) për gratë e divorcuara/prind i vetëm/me urdher mbrojtje”, mbështetur nga projekti Lëviz Albania.

“Janë me qindra gra që na shkruajnë për vështirësitë e pafundme që hasin. Ne i kemi dërguar rekomandimet tona bashkisë së Tiranës, bazuar në gjetjet e raportit të “Efektivitetit të projekteve të strehimit” ku i kemi sugjeruar: miratimi e planit 5-vjecar të Strehimit sa më shpejt dhe publikimi i tij në faqen zyrtare të Basshkisë lehtësim të procedurave, një pjesë e dokumenteve ti plotësojnë vetë njësitë vendore pasi thuajse asnjë nga këto gra nuk mund t’I aksesojnë nga E- albania, dhe çlirim nga një pjesë e detyrimeve për dokumente që ata duhet të plotësojnë. Kjo kategori duhet të jetë një prioritet në realitet, jo vetëm prioritet në premtime. Ecuria e këtij projekti në bashkinë më të madhe në vend dëshmon se këto gra nuk përfitojnë nga projektet sociale”, – thotë Kasimati.

Aktivistja Ina Kasimati gjatë një aktiviteti për ndërgjegjësimin e grave për të përfituar nga projektet sociale të bashkisë

Po ashtu pas përfundimit të këtij raporti, Levizja për Strehimin e grave të dhunuara i ka rekomanduar bashkisë së Tiranës ndërtimin e një databaze digjitale të të dhënave për të pastrehet; hartimin e një strategjie “Për Pronarin Social në Bashkinë e Tiranës”duke përdorur instrument financiarë si psh. përjashtimi nga tatimi mbi fitimin (në bashkëpunim me qeverinë qendrore), përjashtimi nga taksat lokale; kryerja e një studimi specifik për lehtësimin e procedurave për programin e subvencionimit të qirasë, në kuptim të dokumentacionit, tarifave të noterizimit dhe rishikimit të afateve kohore si dhe nxjerrja e një udhëzimi për njësitë vendore në administrimin e Bashkisë së Tiranës për të informuar, edukuar dhe asistuar të pastrehët, sidomos gratë kryefamiljare, viktima të dhunës në familje apo viktima të trafikimit të qënieve njerëzore.

“Po përpiqem të rindërtoj jetën time e vetme. Asnjë institucion shtetëror jo vetëm që nuk më ka ndihmuar të kapërcej këtë situatë, por na e bëjnë edhe më të vështirë këtë rrugëtim pas divorcit dhe dhunës. Të divorcuara dhe pa mbështetje, duhet ti bëjmë ballë të vetme. Nuk kemi asnjë mundësi zgjedhjeje.”, përfundon rrëfimin ajo.

Nga: Esmeralda Keta