Heshtja që më frymëzon

86

Të shkruash në një blog është pak a shumë si të mbash ligjëratë para një audience të heshtur. Është e vështirë pa asnjë reagim, por mendoni sa frymëzuese na ndodh shpesh herë të jetë heshtja.
Kur ndodhesh në trafik dhe dëgjon veç boritë e makinave që nxitojnë për diku, kur je në urban dhe dëgjon biseda ose tinguj që të besdisin, kur je në kafenenë e preferuar dhe ka më shumë njerëz se zakonisht, kur je në një sallë dhe nuk fokusohesh në asnjë fjalë por veç tek zhurma e njerëzve që gumëzhijnë, kur po ngjit shkallët për në zyrën tënde dhe nuk dëgjon më zhurma por psherëtima…
Nuk besoj se jam e vetmja, sidomos në Shqipëri, që në koridoret e punës të përballet me buzeqeshje hipokrite dhe me pëshpërima pas dyerve të mbyllura.
Unë e kam zyrën timë në fund të katit të dytë, praktikisht më duhet të kaloj para çdo zyre, dhe secili në këto zyra ka një histori për mua. Qoftë impakti që i dhash herën e parë kur më takuan, qoftë nga kërkimi për mua në rrjetet e mia sociale, qoftë dhe nga fenomeni i 23 vjecares që erdhi menjëherë me post drejtues.
Pra kur unë mbyll derën time të zyrës, më frymëzon heshtja! Dhe ky blog po fillon pak nga pak të zbulojë karakterin tim i cili burgoset çdo ditë më dëshirë gjatë orarit zyrtar. Por ulërin dëshira për të mbrojtur idealet e mia me fanatizëm.
Në fakt po mundohem të krijoj një formulë standarte të gjetjes së paqes së brendshme, por ajo që po më rezuton dita ditës është një Sivel me një histori të ndryshme çdo ditë. Cilët janë protagonistët?
Përditshmëria! Ky është protagonisti i secilit prej nesh, por se cilët janë personazhet e mi që mund të ndryshojnë nga dita në ditë, do të njihemi pak nga pak…