Djemtë nga Fieri janë tradhëtarë të ndyrë ndërsa vajzat të përdala

348

Shpesh herë të gjithë ne e kemi të vështirë të luftojmë kundër stereotipeve. Një stereotip është aq thellë i ngulitur në kokën tonë sa duhet shumë për të luftuar kundër tij. Duke u bazuar në përkufizimin e Fjalorit të Kembrixhit, stereotipet janë “një ide e fiksuar që kanë njerëzit për dikë apo diçka, veçanërisht kur bëhet fjalë për një ide të gabuar.’’ I tillë është edhe stereotipi djemtë nga Fieri janë të këqinj dhe ligë, kurse vajzat janë të ‘’përdala’’, në fakt përdorin një fjalë tjetër, por nuk është e hijshme t’i drejtohesh një vajze ose një gruaje me atë fjalë të tillë.

18 vitet e para të jetës sime unë i kam kaluar midis Patosit dhe Fierit dhe kur isha në Fakultet në Tiranë u ndesha me habinë se si ishte e mundur që një vajzë që vinte nga rrethi i Fierit të kishte lexuar aq shumë, për fatin tim të keq nuk mbaja as syze në atë kohë. Dhe shpesh herë kam falenderuar gjenet nga babai im për hundën jo aq të bukur, sepse do më merrnin për modele të mirfilltë.  Në fillim as nuk më besonin që kaloja orë në bibliotekë. Të gjitha këto sepse në mendimet  e tyre ishte stereotipi një vajzë nga Fieri nuk është vajzë e mirë.

Unë ende nuk e kam gjetur se çfarë do të thotë një vajzë e mirë, sepse edhe në disa raste që ndjek ëndërrat e tua nuk quhesh vajzë e mirë. Të njëjtën gjë e ndesha edhe me rrethin shoqëror në Tiranë, unë isha tepër e qetë për të qenë nga rrethi i Fierit. Ndërsa në ambientet e punës isha tepër e urtë për të qenë nga rrethi i Fierit dhe se nëse do kisha qenë si vajzat nga Fieri nga Fieri do kisha bërë goxha karrierë. Kisha një përgjigje dhe e kam akoma ‘’Do iki të bëj karrierë në Gjermani me atë që kam brenda kokës.’’

Le të ndalemi tek djemtë nga Fieri. Shumica prej shoqeve të mia janë betuar që para se të njihen me një djalë nga Fieri se nuk do të lidheshin kurrë me një të tillë. Pasi për ata ekziston stereotipi djali me biznes i babit që është tradhëtar i ndyrë, mashtruesi i poshtër. Ai që kalon netët me kë t’i dalë para dhe që i ndërron të dashurat më shpesh se bluzat. Ai që të lë pa asnjë shkak dhe të lëndon për kënaqësi. Mendjemadhi, ai që i duket vetja i bukur dhe nuk di çfarë të shtojë më.

Ndërsa nga ana tjetër shumica e miqve të mi nga Fieri janë fejuar me të dashurat që kanë pasur që nga gjimnazi, njëri që nga 9-vjeçarja. Po ashtu në shtëpinë time ime më u ka thënë pa fund dy vëllezërve të mi ‘’Mos u tallni me vajzat sepse keni motra vetë.’’A u ndjeva keq nga ky stereoptip? Po jam ndjerë aq shumë sa disa kohë thoja kam lindur në rrethin e Fierit, po im atë dhe ime më janë nga Mallakastra të dy, pra me origjinë jam mallakastriote.

Në udhëtimin e parë që bëra në Berlin. Ma kishin përshkruar të frikshëm, duhet të kisha kujdes se do më vidhnin. Dhe duke marrë parasysh se unë kam marrëdhënie shumë të keqe me çelsat. Harroj gjithmonë ku i lë, më kishin bindur se do humbisja dhe se nuk do më ndihmonte askush sepse gjermanët janë të ftohtë dhe madje më thanë edhe që janë racist. Ose do të më rrëmbenin siç ndodh në filma që kanë si subjekt qytetin e Berlinit.

Ndodhi që nuk ishte aspak kështu, as nuk humba edhe pse isha krejt e vetme, as nuk më rrëmbyen dhe as më vodhën. Dy ose tre ndodhi vetëm që ktheva përmbys dhomën sepse nuk gjeja çelsat. Sa herë që nuk dija një adresë më ndihmuan, më mësuan edhe si mos të shpërdoroja paratë.

Kuptova se çdo stereotip është i gabuar dhe se nuk më të flasësh dhe gjykosh diçka ose dikë pa e njohur fare atë, pa prekur realitetin, pa qenë pjesë e tij.  Dhe ndoshta ky ishte mësimi më i madh që e mësova shumë kilometra larg Fierit. Ti je thjesht ti dhe unë jam thjesht unë. Vendi ku kemi lindur nuk na bën aspak të mirë apo aspak të keq. Na gjykoni për atë ç’ka jemi dhe atë që duam të jemi.

Xhentiana Muskaj