Çfarë thonë ato?

16

Kur përfundon librin “Ajo tha”, të duhen disa ditë të mbledhësh veten nga gjithë ajo dallgë informacioni që të ka përmbytur mendjen për orë me rradhë. Pastaj të përpiqesh të rikujtosh gjithë atë proces të shpjeguar imtësisht në 261 faqe nga një grup njerëzish që në datën 5 tetor 2017 hapen faqen e parë të gazetës Nju Jork Times me titullin: “Harvey Weistein ka paguar akuzueset për ngacmim seksual për dekada me rradhë.”

Artikulli me 3300 fjalë ka kushtuar 1 vit kohë, qindra intervista, biseda, ballafaqime, trokitje dyersh, kërcënime, beteja ligjore, netë pa gjumë dhe stërmundime, po ia kishte dalë të bënte bashkë një histori nga ato që për shumë vite me radhë përflitej pa mundur të provonte shumëcka. Për të mbledhur ato dëshmi, është dashur një përpjekje titanike dhe një skuadër e tërë njerëzish që besojnë se nëse nuk flet, asgjë nuk ndryshon. Të jemi të qartë, nuk është se kjo temë nuk ishte prekur më parë. Gazetarë të tjerë kishin shkruar për ngacmimet seksuale në perandorinë e filmit. Një vit më parë, e njëjta gazetë kishte shkruar për ngacmimet e kandidatit për President. Çfarë kishte ndryshuar?

Filloi me një telefonatë të zemëruar të një aktoreje, Rose McGown, që ishte prekur nga qëndrimi që gazeta kish mbajtur më parë ndaj deklaratave të saj për seksizmin dhe për zotërinë Miramax personalisht. Një odise e gjatë fillon pikërisht në atë që gazetaria ka filluar ta harrojë nga nxitimi për të qenë i pari: tek durimi për të dëgjuar deri në fund një histori, për t’i dhënë besim viktimave, për të qëmtuar me hollësi detajet, për të bashkuar pjesët e mozaikut e për të ndërtuar prirjen, jo një rast te veçuar. Për të provuar atë që tha Rose McGowan që “Hollivudi ishte një sistem i organizuar për të abuzuar gratë. I josh ato me premtime të famës, i kthen në produkte me fitime të mëdha, i trajtonte trupat e tyre si pronë, kërkonte që ato të dukeshin të përsosura dhe pastaj i flakte.”

Dakord, jemi në vitin 2017, nuk ka arsye pse të mbash fshehur dekada të tëra ngacmimi seksual që ishin normë në vendin e punës, por sërish edhe në 2017-n kishte frikë. Frikë nga ekspozimi, nga gjykimi, nga fake news, nga balta. Pyetja tjetër që i bënë vetes gazetarët ishte: pse duhet të merreshin me gra të pasura? Të famshme, të bukura, të suksesshme? A nuk ishte gazetaria për njerëzit e dobët, ata pa zë? Po, po nga ana tjetër, a ishin këto gra edhe viktima? A ishte gazetaria në kërkim të së vërtetës? Një të vërtetë që flitej nën zë me koston e poshtërimit, ngacmimit deri dhe largimin nga vendi i punës i grave dhe vajzave që guxonin të thoshin Jo? Një të vërtetë që mbrohej nga marrëveshjet e heshtura sekrete me pagesa qindra mijëra dollarësh për të blerë heshtjen e viktimave?

Me këto premisa, duke ndërtuar hap pas hapi episodet, gazetarët Jodi Kantor dhe Megan Twohey nisën një udhëtim të gjatë, nën udhëheqjen e hekurt të Rebeca Corbett dhe botuesit Schulzeberger Jr. Moren në telefon, nisën emaile, trokitën deri në shtëpitë e dëshmitareve, duke u përballur edhe me përplasje dere, heshtje , por edhe thënie si “Kam pritur 25 vjet qe dikush te trokiste ne deren time.” U përballen me metoda për të penguar hetimin që nga kamuflimi si viktima me ish-agjentë të shërbimit sekret deri tek kërcënimi për bllokim të botimit me pretendimin e akuzave false. Dy herë u përballën me të akuzuarin kryesor duke kërkuar versionin e tij të ngjarjeve dhe të dyja herët morën leksione sesi bëhej gazetaria dhe mohime kategorike të tipit: si mund të quhet ngacmim seksual kur vajzat kishin shkuar vetë në dhomën e tij të hotelit? Ndërsa në telefonatën e fundit, kur e kuptoi që artikulli do botohej zotëria i gjithpushtetshëm dëgjohet të thotë: Jam i vdekur tashmë. Jam i vdekur tashmë. Do të jem një gur që rrokulliset.

Si ia dolën pra? Gjithmonë fillohet me ato që mund të provosh, edhe pse mund të jenë akuza më të vogla. Dhe provat ishin marrëveshjet e bëra në kompaninë Weinstein për punonjëset që ishin larguar pa motiv nga puna ose në mënyrë të beftë. Marrëveshjet përfshinin avokatë, biseda dhe para dhe kolegë, agjentë, familjarë dhe miq. Së bashku pagesat formonin një gjurmë ligjore dhe financiare që tregonin historinë e akuzave. “Marrëveshjet nuk parandalonin historinë, ato ishin historia, një përrallë e mbulimit që ndriçonte keqbërjen. Kjo ishte një mënyrë e re e raportimit të ngacmimit seksual.

“E dyta, hape shikimin dhe vrojto nëse industri të tjera si Sillicon Valley, McDonald, kanë të njëjtat politika për mbrojtje nga ngacmimi seksual. Dhe ato panë, që brenda kompanisë, të gjithë heshtnin për bëmat e shefit të tyre, edhe i vëllai ortak, që megjithëse ia njihte veset, i shkroi një letër të gjatë të hiqte dore. Por jo të gjithë ishin dakord, shefi i financave p.sh. i ndihmoi gazetarët me memo dhe kopje të pagesave që kompania kish paguar për marrëveshjet e Weinstein.

E treta, pyet: a janë marrëveshjet ligjore të ligjshme? Që në vitet ’60 SHBA-të kishin një korpus ligjesh për mbrojtjen e grave nga ngacmimi seksual, por në shumicën e rasteve marrëveshjet -settlements, ishin kthyer në të vetmin mjet të trajtimit të çështjeve të tilla. Pra, pagesa në dorë akuzueseve me kusht që të mos flisnin. Por ato marrëveshje ishin prova që abuzimi kishte ndodhur dhe fshehja nga sytë e publikut bënte që Hollivudi të vazhdonte përrallat e joshjes me vajzat e reja që aspironin aktrimin dhe filmin.

Në një rast një viktimë kishte marrë 9 milion dollarë, në një tjetër 3.25 milion e nëse ato flisnin, ato humbisnin paratë. Ajo që panë gazetarët është sesi sistemi i drejtësisë kishte frymëzuar për vite me radhë këtë qasje duke mos bërë drejtësi, por duke blerë atë me para. Ligjet federale ishte e tillë që padia duhet të bëheshin brenda 180 diteve dhe kompensimi ishte jo më shumë se 300 mijë dollarë, një shumë që nuk mbulonte as kostot e shpenzimeve për avokat dhe mbrojtje në gjyq. E kuptueshme pse viktimat zgjidhnin marrëveshjen e brendshme.

E katërta, të gjitha gratë e ngacmuara donin të dinin nëse do kishte të tjera që do flisnin, nuk donin të ishin vetëm. Ashley Judd ishte e para që vendosi të fliste me emër mbiemër, dhe falë kurajos së saj, folën dhe të tjerat. Sistemi ishte shumë i vështirë për t’u përballuar vetëm.

E pesta, të gjitha intervistat duheshin on the record. Edhe me kushtin e të botuarit vonë. Duheshin bindur emrat e mëdhenj, yjet e Hollivudit. Si Guineth Paltrow, e cila ia kushtonte famën pikërisht zotërisë Miramax. Megan përdorte këtë fjali në bisedat me gra të panjohura që iu kërkonte të flisnin për gazetën: “Unë nuk mund të ndryshoj çfarë të ka ndodhur në të shkuarën, por së bashku mund ta përdorim përvojën tënde për të ndihmuar të mbrojmë njerëz të tjerë”.

Pasi artikulli u botua dhe lëvizja MeToo u rrit, një profesoreshë akuzoi e vetme gjykatësin e lartë Bert Kavanaugh për ngacmim seksual në shkollën e mesme. Një betejë, nga e cila doli e sfilitur, por që tregoi se kishte ndryshuar diçka përgjithmonë në mënyrën sesi gratë e shihnin vendin e tyre në jetë. Dëshmia e Christine Ford ishte sipas avokatëve të saj një mesazh: që dhunimet ndaj vajzave në shkollën e mesme, kundër brezave të tëra të grave, kishin rëndësi, edhe nese ato gra kishin heshtur gjate ose nuk kishin evidence te persosur.

Pra kjo nuk ishte një gjueti shtrigash, siç u munduan ta përbaltin disa, por një betejë për dinjitet dhe vënien para drejtësisë së përgjëgjesve. Ishte një betejë e grave kundër burrave të pushtetshëm. Që duhej të përgjigjeshin për abuzimet e tyre, edhe pse shumë vite më parë. Ky ishte standarti i ri që u vendos: jep llogari për veprimet e tua, në çfarëdokohe kanë ndodhur ato. Zonja që e filloi e para këtë histori shkroi një ditë para botimit “E bëj për vajzat e mia.” Dy gazetarët gjithashtu ia kushtojnë vajzave të tyre, njëra vetëm disa muajsh, kur doli artikulli i parë.

Ky libër është një provë se gazetaria e mirë mund ta ndryshojë shoqërinë. Ajo mund të lidhe, fuqizojë dhe frymëzojë njerëzit ta bëjnë ndryshimin.

Nga Valbona Sulçe