Trupi im kërkon festa jete e jo altarësh!

218

Marr peshoren, e vendos në dysheme dhe zhvishem. Nuk e di se nga vjen ky zakon i çuditsheëm prej maniakeje. Dua të di saktësisht se sa peshoj. Ndoshta kjo lloj manie rrjedh prej faktit se nuk besoj kollaj tek numrat. Ngjitem mbi peshoren prej xhami duke bërë kujdes që të mos rrëshqas ose të mos rrëzohem  dhe befasohem. 55,6 kg. Peshohem tre herë. Tre herë e njëjta peshë. Marr peshoren tjetër (e thashe edhe më parë që kjo është një nga manitë e mia). Ajo thotë 55 kg. Ato 600 gramët e tjerë  akrepi i saj nuk ka se si t´i tregojë saktësisht, se është tip i vjetër, ndonëse e re, e blerë para disa muajsh.

Gëzohem. Sot është ditë feste për mua. Më në fund kam shtuar në peshë. Nuk është edhe aq çudi, pasi 90 % të kohës e kaloj në kuzhine duke bërë ndonjë gjë me brumëra. Meqë është ditë feste, futem në dush. I këndoj lavde trupi tim. Është aq i bukur me 45 vitet e tij, saqë me duket çmenduri e thuajse e padrejtë që është i vetëm në këtë ditë feste. Më kujtohet kazaku i kursit, se si më tregoi që para 4 vjetësh, i kish vdekur gruaja. Mënyra se si e tha, ngjyrimet e zërit, vështrimi, shprehën dhimbjen më të madhe që mund të ndiejë dikush për një tjetër qënie. Më erdhi ta perqafoja dhe ta puthja fort për dashurinë që kish pasur. Ajo jehonte nga të gjitha poret e tij. Njerëzit që dashurojne fort, janë shumë tërheqës!

Ishte hera e parë që flisnim. Në fund të bisedës, më recitoi një poezi të Maupassan-it (siç thote ai) në frengjisht. „ Si vous saviez que je vous aime/ Si vous saviez sûrtout comment“ (Sikur ta dinit se unë ju dua. Sikur ta dinit me siguri si). O gjithesi! Pse nuk janë burrat gjermanë kaq galantë?! Një ndër një milion edhe e gjen ndonjëherë. Une e pata gjetur njëhere në jetë. Jam me shumë fat. Kazaku duhet ta kish dashur gruan si i marrë. Pas ikjes së saj, në jetën e tij nuk kish asgjë kuptim. Është i dyti që më la pa fjalë me romantikën e tij. I pari ishte gjithashtu king. Ishte king që donte lidhje serioze  pa seks fare, pasi kish palluar gjysmën e grave të qytetit gjatë martesës së tij të parë dhe gruaja e kish braktisur më në fund, por pa vdekur.

Tani ish bërë ortodoks i thekur dhe donte të martohej me një grua besimtare. Seksi duhej bere veç pas martese. Ai muhabet u mbyll pa filluar. Ndoshta unë iu duka si tip Marie. Mua më shkojnë më shumë për shtat Madalenat. Trupi im kërkon festa jete e jo altarësh . Festat unë i festoj sipas bukurisë e jo pas martesës. Kazakut numër dy mund t´ia hedh lakun. Është pre e lehtë. Nuk është edhe aq tipi im, por është i pashëm, njeh Maupassant-in dhe e ka dashur shumë gruan e tij. Janë shumë arsye. Mund të bënim ndonjë festë gjigande.

Po është edhe një tjetër me të cilin duhet të bëj festë patjetër. Ka trup si të skalitur me daltë. Është shumë i ri. Më pëlqen. I pëlqej dukshem. Ai nuk di poezi. Por mendimi se mund të festojme ardhjen e pranverës së bashku, më turbullon sakaq. Seksi është gjë e bukur, po ta mendosh. Por më shumë se ai, më intereson gjuetia. Dua të shoh prenë se si përpëlitet në lakun tim. Kjo është gjysma mashkullore e qënies sime. Gjithashtu e bukur. Si po duken bathët, mund të perfundoj ortodokse edhe unë. Më ruajtë Maupassant-i, më ruajtë!

Kam mbaruar dushin dhe thahem me peshqir teksa kundroj me ngazëllim këtë dhuratë të natyrës. Është vërtetë mëkat të mos ia dhuroj dikujt, për pak. Pastaj bien këmbanat e katedrales e më kujtohesh ti. Ty desha të ta dhuroja për shumë festa, pa afat. E ti e doje shumë e festuam shumë. Ti dije se si.

Ti ia njohe vlerën trupit tim vërtetë. Vetëm atij.

©Arlinda Brühl