A doni tju tregoj listën e personave që më kanë ngacmuar seksualisht?-nga Erjona Rusi

806

A doni tju tregoj listën e personave që më kanë ngacmuar mua seksualisht? Po sikur tju them që janë me qindra, që kur isha fëmijë e deri më sot. Po listën e atyre që kanë abuzuar me trupin tim? Ata që e kanë përdhosur trupin tim, timin, dhe kanë bërë gjithçka deshën me të. Po unë a kam të drejtë mbi trupin tim? Ta zhvesh e ta djeg totalisht trupin tim nga dhimbja? A do të më kuptonit vallë?

Kam frikë se jo. Sepse çuditërisht gjëja që dinë shqiptarët të bëjnë më mirë dhe më me shpejtësi, është të të kryqëzojnë, edhe pa të dëgjuar më parë, apo të bëjnë qoftë edhe një përpjekje për të të kuptuar. Mbase ka lidhje me faktin të qënit popull sanguin e që reagojmë në mënyrë instiktive.

E s’mund të ndodhte ndryshe as me Florindën, vajzën që guxoi të përlyente me trupin e saj “nderin” e shqiptarëve. Pikërisht këta njerëz, mes të cilëve edhe nga ata që vrasin, dhunojnë, përdhunojnë u ndjenë të “çnderuar” sepse një vajzë shfaqi trupin e saj të zhveshur në mesin e tyre ndërsa pak metra më tutje qindra vetë protestonin për përdhunimin e një vajze 15 vjeçare nga 5 burra.

Dhe shqiptarët nuk duruan dot, “u turpëruan” nga akt i paprecedentë dhe u vërsulën për ta “fshikulluar” të pacipën, vulgaren që u zhvesh para tyre. Por kush shkoi aty pranë e ta pyeste pse? Megjithatë Florinda foli vetë dhe mes shumë gjërash i dha përgjigje edhe kësaj pyetje. “A doni tju tregoj listën e personave që më kanë ngacmuar mua seksualisht?” ishte fjalia që i dha kuptim “revoltës” së saj unike.

“Unë kam pasur zhvillim të hershëm që 12 vjeç dhe ka qënë një periudhë që unë nuk e doja veten time, trupin tim. Ndjeja sikur kisha një sëmundje, isha shumë e zhvilluar. Burra në moshë më ngacmonin. Ndodhte gjithandej, që kur dilja nga shtëpia, në shkollë në rrugë, kudo”-ishin fjalët e saj.

Imagjinoni një fëmijë vetëm 12 vjeç që përballet çdo ditë me lukuni vështrimesh, fjalësh apo dhe xhestesh perverse të burrave të etur seksualisht e gati për tu shndërruar në pedofilë. Dhe pse? Vetëm sepse ajo kishte fatin e keq të kishte format e trupit më të zhvilluara se moshataret e saj. Po, vallë a e kupton dot një 12 vjeçare këtë “mëkat”? Që po i tundon këta burra të shkretë që duan të gjithë “ta shqyejnë” nga pak për të kënaqur epshet e tyre?

Natyrisht që sado të mëdhenj ti ketë gjinjtë, një 12 vjeçe është thjesht një fëmijë që do të luajë e të shijojë fëmijërinë. Por Florinda nuk mund ta bënte këtë. Duhej të mbulohej fort, me rroba të gjëra, që askush të mos tundohej prej saj. Dhe ajo e urreu trupin e saj, filloi ta mbulojë që të mos duket asgjë, boll që ATA të mos e shihnin më si një objekt seksual.

Po kush e kupton vallë çfarë ka përjetuar ajo ndër vite? Kush e kupton një fëmijë që mësuesi, fqinji, burri i hallës, kushëriri i nënës, e sheh gjithë epsh dhe do vetëm “ta shqyejë”? Kush nuk e ka provuar, nuk e kupton dot kështuqë më mirë le të heshtë.

Florinda nuk u zhvesh atë ditë në shesh, thjesht për herë të parë në jetë, mbase nuk pati më frikë prej trupit të saj dhe pikërisht këtë gjë deshi ta bërtasë fort, ta ulërasë, të klithë me gjithë fuqinë e shpirtit.

Në fakt, jemi ne të zhveshur, që të gjithë krejt lakuriq para monstruoziteteve seksuale që po masakrojnë dhjetra 12 vjeçare të tjera thuajse çdo ditë në çdo cep të vendit dhe nuk po dimë se çfarë të bëjmë e si ti mbrojmë. Po, po, ne jemi lakuriq por nuk arrijmë ta shohim. Paaftësia jonë për të reaguar na ka zhveshur përballë njëri tjetrit.

Jemi verbuar e nuk e shohim dot lakuriqësinë dhe as përdhunuesit. Përdhunuesit që kemi në rrugë, në shkollë, në punë, në parlament, në institucione, kudo. Jemi ende duke soditur si të marrë “rrobat e reja të mbretit” ndërsa gënjejmë veten se jemi ende të veshur.