Edi Rama kërko falje! Është më e pakta që mund të bësh!

179

“Gridare, gridare, gridare, oooo” ishin të vetmet fjalë të Ramës për kandidaten për deputete të partisë demokratike, Grida Duma në një aktivitet ku krahasonte kandidatët e së majtës me ata të së djathtës. Nëse vetëm do ta shikoje përciptazi si aktivitet mund të themi se mënyra e realizimit ishte një gjetje. I vendosur  vetëm, rrethuar nga qindra monitorë që e ndiqnin live, aktiviteti mund të thuhet se merrte notën 10, nisur edhe nga situata pandemike në të cilën ndodhemi. Ama, mjafton të shikoje fotografitë e montuara ku ishin të vendosura kandidatët e majtë e të djathtë për të parë mënyrën fyese, bullizuese e madje edhe seksiste, të krahasimit të tyre. Në të majtë, fotot e realizuara bukur të kandidatëve socialistë, në të djathtë fotot bardh e zi, (të shkëputura nga video apo nga jetët personale), të atyre demokratë.

Por le të ndalemi më konkretisht tek kjo foto. A nuk mund të gjente një foto më “normale” vallë, stafi i madh i kryeministrit sesa ajo gojëhapur përballë një mikrofoni? Të thuash e ulët, seksiste, e shëmtuar është e pakët e aq më pak kur këtë mënyrë e trumbeton përpara gjithë shqiptarëve, Kryeministri i vendit. Të vjen keq kur shikon që asnjë nga gratë apo burrat në atë aktivitet online nuk pati qoftë edhe një gjysmë reagimi për ti vënë fre gjuhës seksiste të krysocialistit. Zoti Rama, kërko falje, është më e pakta që mund të bësh!

bitchmagazine.al