“Zonja Shahini duhet të kishit vepruar”, Arqimandriti: Fjalimi i ministres, agresiv dhe kërcënues

44

Në Shqipëri, fjala fëmijë, grua, familje pothuajse zhduken midis emrave të mëdhenj të Ministrive që duhet ti kenë këto grupime të rëndësishëm nën vëmendje. Në vende si Norvegjia, Suedia, Anglia etj (ndër vendet e para në botë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe barazinë gjinore), ka ministri të dedikuara për këto grupe të brishta. Ndërsa, ne kemi disa drejtori me 2-3 specialistë që merren me këto cështje të rëndësishme si dhuna në familje, abuzimi seksual, ngacmimi seksual, edukimi gjinor e feminist kundër patriarkalizmit etj.

Kemi dëgjuar nga drejtues të rëndësishëm të shtetit shqiptar si dhe nga opozita kohë pas kohe e ngjarje pas ngjarje, dhe dje dëgjuam edhe Ministren e Arsimit e cila nga foltorja e Parlamentit deklaroi që jemi një shoqëri patriarkale. Atëherë pyetja ime e menjëhershme është çfarë plani keni ju zonja ministre e arsimit për të luftuar patriarkalizmin në Shqipëri?Asgjë nuk keni!? Se përndryshe do na e kishit thënë.

Fjalimi juaj në Parlamentin Shqiptar ishte i çudishëm, agresiv, kërcënues dhe denigrues ndaj organizatave të shoqërisë civile, pikërisht organizatave që mbrojnë të drejtat e vajzave dhe grave dhe kanë bërë e bëjnë një punë të jashtëzakonshme në mbarë vendin që pas viteve ‘90, me standarde të cilat jo gjithmonë përkrahen nga qeveritë për arsye nga më të ndryshmet, të cilat lidhen edhe me mentalitetin e ministrave/eve dhe qendrimeve të tyre politike.

Dëgjuam nga goja juaj që ju ishit shumë e trishtuar për secilin rast që nuk është arritur të parandalohet dhe pretenduat të jepnit fakte se pse nuk ishin parandaluar, por nuk dhatë asnjë. Më pas folët për disa pika protokolli dhe veprim të menjëhershëm, dhe mendova se do e keni bërë më në fund protokollin. Por jo, ju folët për një protokoll pasi ndodh rasti. Zonja ministre kur ngjarja ndodh, veprojnë organet kompetente si policia, prokuroria e më pas Gjykatat dhe jo MASR. Puna e MASR duhet bërë në avancë në kohë të qetë dhe me shumë kujdes.

Pastaj dëgjuam ca përsihatje për “krimin e pasionit” dhe ngacmimet që çdo grua e vajzë merr të paktën një herë në jetën e saj. Ajo që kuptova këtu ishte që s’kemi çfarë ti bëjmë meqe jemi kështu do presim dhe nga këto ngjarje. Desh vura duart në kokë, por ju folët përsëri mbi “përgjegjësinë institucionale për të ndryshuar kulturën në shkollë”. – Ah më në fund-thashë por jo u gabova sepse ju folët vetëm për përgjegjësinë individuale të secilit prej nesh.

Pra MASR, që ju drejtoni dhe qeveria vetë nuk ka përgjegjësi? Do ishte mirë të rreshtonit përgjegjësitë tuaja, punën që keni bërë e më pas të sulmoni. Pastaj ju folët për Grupin e Organizatave Jo-Qeveritare (OJQ) për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. Ju urdhëruat që OJQ-të mos dalin në media e të mos flasin për rastin. Fjalime urrejtje për organizatat e shoqërisë civile dëgjojmë rëndom nga politikanët, por nuk ma mori mendja që edhe ju të flisnit me këtë gjuhë. Jemi ne që bëjmë thirrje, reagojmë që emrat e viktimave të mos përdoren në media. Por, ndërkohë ne duhet të flasim të gjithë për fenomenin.

Më pas edhe kërcënuat me kontrolle të fondeve dhe punës për organizatat partnere të qeverisë. Që Qeveria shqiptare mbështet organizatat e shoqërisë civile dhe ato që japin shërbime konkrete për viktimat e dhunës në famije apo dhunës seksuale bën shumë mirë dhe ky është detyrim ndërkombëtar e nuk është një fakt për kërcënim.

Organizatat e shoqërisë civile që mbështeten nga qeveria janë të pavaruara në veprimtarinë e tyre dhe mund e duhet ta ngrenë zërin kur shohin pasivitet të jashtëzakonshëm si në rastin e Ministrisë tuaj në trajtimin e rasteve të abuzimit seksual në shkolla. Këtë reagim kërkojmë nga ju zonja Ministre.

Ne prisnim që ju të flisnit për iniciimin e menjëhershëm (edhe pse të vonuar, nga rastet që kanë ndodhur të paktën që në janar 2019), të një udhëzuesi ligjor me veprim të menjëhershëm në lidhje me dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual ndaj e midis fëmijëve në shkolla dhe kolegje.

Në shkollat shqiptare ju keni borde prindërish krejt pasivë, me emra prindërish me njohje në drejtori që janë thjesht në letër dhe nuk bëjnë asgjë tjetër veçse ca mbledhje fiktive. A e kontrolluat ju sa herë drejtori i shkollës kishte mbledhur bordin e prindërve në shkollën “Azem Hajdari” në Babrru? A e dini sa herë flasin këto borde prindërish për dhunën seksuale ndaj fëmijëve. Zero herë. Sepse po zero herë keni mbledhur ju drejtuesit e shkollave dhe u keni folur për këtë çështje veçanërisht.

Ajo që presim ne nga ju dhe që ju ftuam të reagonit është një protokoll ligjor për shkolla të shëndetëshme si dhe department të vecantë në ministri që të merret me çështjen madhore të patriarkalizmit, kulturën e ngacmimit të grave e vajzave, të dhunës ndaj tyre, kulturën e përdhunimit e jo fjali tek tuk.

Në fund fare ju thatë se doni të “që të parandalojmë ngacmimin, abuzimin, dhunën dhe diskriminimin e fëmijëve, grave dhe grupeve të brishta, duhet që secili nga ne të punojë për të luftuar sistemin patriarkal që denigron grupet e brishta dhe mundëson abuzimin”.

Po bëjeni pra, se ty ta kanë vënë festen mbi kokë ta bësh këtë gjë që nga janari 2019. Keni patur plot kohë e raste të reflektosh e të merrni masa për zhdukjen e dhunës seksuale në mjediset e shkollës. Këtë fushatën informuese duhet ta kishe nisur me kohë, sepse me thënë të vërtetën nuk kemi kohë fare të dëgjojmë fjalime patetike, gjuhë urretje dhe kërcënime.  Ne dhe ata që ju erdhën dje përpara ministrisë duan të dëgjojnë hapat që do merrni, punët që do bëni, afate kohore, buxhetet përkatëse, konsultimet me bazë të gjërë me ata që punojnë në ballë të punës e në këtë rast edhe OJQ-të.

Ju sugjeroj të merrni shembull të homologëve në vendet e zhvilluara ku një ministër/re në kohën e limituar që ka në dispozicion, merr masa mbi masat ekzistuese që fëmijët të mos bien pre e dhunës seksuale në shkolla apo jashtë saj.

Jemi në pritje të veprimeve konkrete për të vendosur shinat mbi të cilat do të formohet brezi i ri i këtij vendi, jo nga pikpamja shkencore por morale dhe krijimi i mundësive që të rriten pa trauma shëndetësore e mendore të përmasave të tilla.

Mirela Arqimandriti, drejtoreshë e GADC