Vrasja e vajzave në barkun e nënës, dokumentari më i mirë televiziv 2020 titullohet “E duan djalë”

42

“E duan djalë” është shpallur dokumentari më i mirë televiziv për vitin 2020 nga Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës. Bëhet fjalë për një prodhim të Kosovo2.0 në bashkëpunim me RTK që tregon se si presioni i familjes dhe shoqërisë për të lindur djem vazhdon të nxisë gratë në Kosovë të kryejnë aborte selektive.

Dokumentari është realizuar nga gazetarja Valdete Osmani e cila në një postim në faqen e saj në Facebook tha se ua dedikon këtë çmim dy prindërve të saj të cilëve nuk u ka pëlqyer përzgjedhja e profesionit, por që e kanë mbështetur gjithmonë.

Gazetarja Valdete Osmani gjatë marrjes së çmimit

“Ruhan dhe Aza! Babë dhe mamë faleminderit që nuk më keni diskriminuar kurrë, për më tepër më keni privilegjuar duke mos e ndjerë asnjëherë peshën e gjinisë.. .djalë apo vajzë”-shprehet Osmani. Ajo shpreson që ky dokumentar të ketë ndikuar në ndërgjegjjen e familjeve të cilat edhe në ditët e sotme, në kërkim të një djali, bëjnë presion për abort të vajzave, pasi vajzën nuk e shohin si trashëgimtare.

“Shpresoj të rritet vetëdijesimi te prindërit që të mos bëjnë dallime gjinore qysh në barkun e nënës. Shfrytëzoj rastin dhe kërkoj nga të gjitha VAJZAT dhe GRATË të mos heqin dorë nga trashëgimia familjare në asnjë rrethanë. Një vendim i tillë varfëron pozitën e gruas, diskriminon vajzën dhe vret vajzat ende pa parë dritë. Besoj fuqishëm që pavarësia dhe stabiliteti i një gruaje bëhet vetëm atëherë kur ajo trashëgon pasurinë që i takon, gëzon të drejtat e saj dhe ndihet e barabartë me të vëllanë, bashkëshortin dhe poziten e saj në shoqëri”-përfundon Osmani.

Në Kosovë lindin 110 djem për 100 vajza, ndërsa raporti ‘natyror’ i lindjeve është 105 me 100. Në dokumentar shfaqen gra, mjekë dhe studiues të cilët tregojnë se si preferenca për djem po bën që aborti selektiv të mbetet i përhapur.

bm