“Ti jap lekë gruas për byrekun?” publicisti Agim Baçi kundër idesë që të paguhen punët e shtëpisë

6
Foto nga ABCNews.al

A duhen paguar punët e shtëpisë? Debate lidhur me këtë temë bëhen prej vitesh në shumë vende të zhvilluara të botës, e madje në SHBA përllogaritet se gratë do të fitonin gati 2-fishin e parave në krahasim me burrat nëse do të paguheshin edhe për punët e shtëpisë. Porn ë Shqipëri, ku mentaliteti është ende shumë patriarkal e ku gratë dhunohen e vriten edhe pse guxojnë të kundërshtojnë bashkëshortin, mbase ky diskutim mund të duket utopik.

Gjithësesi, si kudo ka pro e kundër kësaj ideje, e tashmë debati ka nisur edhe në studiot televizive. Kjo gjë ndodhi të martën në emisionin ABC e pasdites, ku të ftuarit Agim Baçi, Fabiola Laço dhe Neda Balluku diskutuan rreth faktit nëse duhet paguar nga shteti ose jo punët e shtëpisë.

Aktivistja për të drejtat e grave Fabiola Laço nënvizoi se çdo punë duhet paguar dhe favorizuar në vlerë monetare. “Është një punë që të jep kënaqësi dhe do ketë më shumë kënaqësi nëse do ketë një vlerë reale.  Sidomos gjatë kësaj kohë pandemie dhe pas. kjo punë u shtua akoma më shumë sepse ndryshoi komplet e gjithë jetesa”.

Por krejt ndryshe e mendon Neda Balluku, ish-banorja e “Big Brother”, Neda Balluku që sot është Specialiste e Politikave Sociale. “Unë mendoj që nuk duhet paguar. Mendoj që qëllimi i fuqizimit i grave dhe vajzave është drejt një fuqizimi ekonomik. Fuqizimi I gruas në aspektin ekonomik është punësimi dhe unë kam një merak që nëse përfshihet një pagesë tek puna shtepiake atehër bëhet disbalanca e punëve të ndara mes gjinisë. Pagesa do ta bënte rob”.

Ndërkohë Publicisti Baçi theksoi se beson në shenjtërinë e familjes dhe se nuk është i mendimit që të paguajë gruan për punët e shtëpisë sepse i humbet pikërisht vlera e dashurisë me të cilën është ndërtuar marrëdhënia në familje.

“Unë besoj tek shënjtëria e disa gjërave. Nëse ne fillojmë paguajmë, nëse ne fillojmë numërojmë orët kemi humbur shenjtërinë e familjes.  Jam shumë dakord që asnjeri nga palët nuk duhet të thotë që “këtë e bëra unë apo këtë e bëre ti”. Pasi në familje ka Ne. Ta paguaj gruan se një ditë e ka bërë byrekun ndryshe?”

I pyetur nga moderator Ermal Peçi se cila ishte puna që ka bërë së fundmi Baçi tha se nuk shquhet për këtë gjë. “E them hapur që nuk shquhem për punë, as nuk krenohem. Unë mundohem të bëj ato gjëra që di ti bëj më mirë”. Jo nuk kam shkuar deri këtu, nuk i kam larë asnjëherë enët”, tha ai.

Gjatë diskutimit, Fabiola Laço tregoi dhe një kuriozitet që bashkëshorti i saj, skenaristi e producenti i mirënjohur televiziv Pandi Laço gatuan shumë mirë por nuk ka larë ndonjëherë rrobat.