“Ta kisha ça *othën oj zemër; s’kishe mujt nesër me ec në këmbë tua!”,qysh duhet me ju fol çikave në rrugë,-nga Liridona Osmani

509

“Uoj bukuroshë bre!”

“Kqyrja more trupin si ngjalë!”

“Offf çka t’kisha bo unë ty!”

  • “Ta kisha ça *othën oj zemër; s’kishe mujt nesër me ec në këmbë tua!”

*Përderisa je duke ec në rrugë, fillon të të ndjek me makinë.

*T’i ngul sytë edhe fillon ta prek veten.

Nesë je burrë dhe mendon që ngacmimi në rrugë është diçka e ekzagjeruar nga gratë, tregomë se sa herë në jetë je ballafaquar me diçka si eksperiencat më lart?

Eh, për shumicën e neve, vajzave, shembujt më lart janë përditshmëri. Iniciativa “Feminist” kishte pyetur ndjekësit në Instagram ‘Çka do të bënin gratë nëse burrat nuk do të ekzistonin për 24 orë?” Përgjigja më e zakonshme ishte: “do të dilnin për të ecur”. Do të thotë, të ecurit në rrugë pa frikë.

Nëse je burrë, pyetja ime për ty është: sa shpesh detyrohesh të ndalesh e të mendosh se a do të duhej të dilje për ecje apo jo, sidomos në mbrëmje? Për ne, vajzat, kjo është procedurë e zakonshme. Secila prej nesh kemi në kokë zona apo rrugë të cilat i evitojmë, në të cilat nuk do ecnim vetë. Ecja vetëm gjatë natës është veçanërisht e frikshme dhe e pasigurt për ne.

Shkrimi i këtij artikulli u inspirua nga vetë eksperienca ime kur u ktheva në Kosovë nga ShBA-ja në maj të këtij viti. Në momentin që kam filluar të dal nga shtëpia, shumë shpejt dhe pa ngurrim burrat kosovar ma kanë rikujtuar se sa e pakëndshme është të jesh grua duke ecur në rrugë në Kosovë.

Një prej këtyre eksperiencave ishte në një ditë kur më ftoi një shoqe të dalim për ecje në qytet. Ne po ecnim në qendër të qytetit, një pjesë mjaft e ndriçuar dhe e frekuentuar nga njerëzit, veçanërisht gjatë kohërave të pandemisë kur kafenetë dhe restoranet mbylleshin në orën 21:00 dhe njerëzit nuk kishin shumë alternativa – kështu që ata dilnin për ecje në zona të hapura. Gjatë ecjes tonë, kishte rreth 6-7 raste kur djem të ndryshëm tentonin të bisedonin me ne pa pëlqimin tonë, na ndërprisnin bisedën tonë personale, edhe pse ishte shumë e qartë që jemi të kyçura në bisedë dhe hapësira jonë personale pushtohej. Kjo na detyronte të ecnim më shpejt, ose më ngadalë, ose të largoheshim krejtësisht nga zona ku ishim ndalur sepse djem të ndryshëm nuk na linin të qetë. Dhe kjo më shtyu të mendoj: a e kuptojnë këta burra që të bësh një gjë të tillë është e gabuar? Nga guximi i tyre, gjuha e trupit dhe shprehjet e fytyrës, i gjithë procesi dukej se jo vetëm që nuk i shqetësonte dhe nuk e kishin problem ta bënin atë, por ata e shihnin si diçka zbavitëse. A është kaq i rrënjosur ky fenomen në shoqërinë tonë, mendova, sa që shumë burra në shoqërinë tonë as e kuptojnë se është e gabuar ta bësh këtë?

Ngacmimi nuk është kompliment, është shqetësim

Të dashur djem dhe burra,

Ngacmimi në rrugë nuk është kompliment. Ngacmimi në rrugë është shqetësim.

Ngacmimi në rrugë definohet si vëmendje e padëshiruar, në shumicën e rasteve, seksuale. Ngacmimi merr formën e fishkëllimës, tentimit për ta filluar një bisedë me dikë kur ai person të ka refuzuar disa herë, ngacmim është t’ia ngulësh sytë dikujt, të bërtasësh në drejtim të dikujt, është thirrje me emra të ndryshëm (zemër, loçkë, etj.), fotografimi apo incizimi pa leje, ndjekja, t’i biesh borisë së makinës, masturbimi në publik, prekja pa dëshirë, etj.

Nëse diçka që po i thua një vajze apo gruaje në rrugë nuk ia kishe thënë një anëtari të familjes, një kolege/kolegu, një shoqeje apo kujtdo për të cilin ke respekt, gjasat janë shumë të mëdha që as një vajzë e panjohur nuk do e vlerësojë atë që ke për të thënë.

Qëllimi i komplimenteve është t’ia ngritësh vetëbesimin dikujt, ta bësh dikë që të ndjehet e vlerësuar, të ndjehet mirë. Ngacmimet, përkundrazi, i bëjnë vajzat dhe gratë të ndjehen të degraduara, ua fusin frikën në palcë – dhe përkundër besimit të përgjithshëm të burrave se kjo mënyrë e qasjes ndaj grave do i bëjë ato për vete, kjo nuk është e vërtetë. Kjo mënyrë e të sjellurit ka efektin e kundërt.

Nëse e sheh që dikush nuk po i përgjigjet asaj që je dukë thënë, kjo është shenjë që ai/ajo nuk është i interesuar ta pranojë atë qe keni për t’ia thënë.

Fakti që ti e ndërpren bisedën e dy personave të tjerë, pa kërkuar falje për pengesën, pa e bërë në një mënyrë të respektueshme, është një tjetër shenjë që je duke e tepruar.

Duhet të jetë e vetëkuptueshme për të gjithë burrat që një grua e meriton si qenie njerëzore në vete të trajtohet me dinjitet dhe respekt, pa marrë parasysh nëse keni një figurë të tillë për ta krahasuar me të në jetën tuaj apo jo. Mirëpo, është e paevitueshme që, duke e trajtuar një grua gabimisht, kështu ju u jepni leje burrave të tjerë të sillen në të njëjtën mënyrë me vajzën tuaj, motrën tuaj, gruan tuaj, nënën tuaj.

Një episod në jetën e një gruaje në Kosovë

Unë nuk mund t’i numërojë të gjithë ato hera që jam ngacmuar në publik për shkak se kanë qenë aq shumë. Nganjëherë kam qenë e veshur me trenerka, ndonjëherë me fustan e ndonjëherë me pantollona. Jam ngacmuar në vende të ndryshme publike: në rrugë, në autobus, brenda një ndërtese, etj. Kjo nuk ka rëndësi në esencë. Por, kjo ia vlen të ceket sepse shpesh gratë akuzohen se janë ngacmuar për shkak të asaj që kanë veshur apo lokacionit ku kanë qenë. Jo, ngacmimi nuk ka të bëjë as me atë çka ka veshur dikush, as me vendin se ku gjendet. Faji dhe përgjegjësia për ngacmim bie i gjithi në ngacmuesin. Ngacmuesit janë ata që duhet ta kontrollojnë veten dhe veprimet e tyre. Fakti që unë e kam fytyrën ose trupin e bukur, nuk të jep të drejtë ty ta privatizosh.

Unë e di që nuk jam e vetme në këtë sfidë. Sipas një raporti të publikuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës në vitin 2016, 64.1% e grave në Kosovë kanë më shumë gjasa të përjetojnë ngacmim seksual në krahasim më burrat (32.5%).

Më pak se gjysma e të anketuarve në këtë studim mendojnë së presioni për favore seksuale (49%), prekja, pickimi ose shtytja (49%) dhe fishkëllima ndaj dikujt në rrugë (43.8%) janë forma të ngacmimit seksual. Një numër edhe më i vogël i kosovarëve i konsidërojnë format e tjera të ngacmimeve seksuale si ngacmim, duke dëshmuar mungesë të vetëdijes në lidhje me atë se çfarë është ngacmimi seksual. Për më tëpër, 1/3 e kosovarëve bësojnë se njërëzit ngacmojnë të tjerët kur ata u duken atraktivë dhe që kjo gjë është normale.

Po ashtu, një kulturë e “fajësimit të viktimës” në rastet kur ndodhë ngacmimi është prevalente. Rreth 74% e kosovarëve besojnë se gratë vetë e sjellin punën deri te ngacmimi në bazë të asaj se si vishen ose se si sillen.

Konkluzioni: Mos me ju fol çikave hiç?

Tash me siguri je duke menduar, “e, qysh tash, a mos me ju fol hiç çikave, a?” ose “është bo frikë me ju fol çikave në ditë të sotit”. Por, ky nuk është mesazhi që po mundohem ta përçoj. Më poshtë kam listuar disa këshilla të kuruara nga iniciativa “Why don’t we discuss” (Përse nuk diskutojmë) që ju orientojnë se si t’iu qaseni vajzave në mënyrë të duhur.

Kërkoni leje së pari – Me mirësjellje tërhiqni vëmëndjen e saj, ndoshta duke buzëqeshur ose duke e përshëndetur nga larg, duke u siguruar që edhe ajo dëshiron të flas me ju.

Ji i vetëdijshëm kur duhet të ndalosh ose ta dish limitin – Nëse ajo mezi po ju përgjigjet, i mban kufjet e saj në vesh ose përpiqet të largohet, kuptojeni se nuk është e interesuar dhe lëreni të qetë.

Ji i sjellshëm dhe i mirëfilltë – Të flasësh për, ta komentosh ose ta seksualizosh trupin e një të huaji konsiderohet ngacmim dhe jo lajkë. Jepni komplimente të respektueshme, duke evituar vulgaritetin.

Mos prisni asgjë në këmbim – Gratë meritojnë respekt dhe ato nuk u kanë asgjë borxh juve për faktin që ju i komplimentoni ato në mënyrë të respektuar. Dëshiron apo jo t’ju përgjigjet ajo – edhe nëse ju silleni mirë – është zgjedhje personale dhe ajo dëshirë e saj duhet respektuar.