“Sikur ne nuk ekzistojmë”, revolta e një babai për tavolinat e pelenave

49

E ndërsa duam që burrat të marrin përgjegjësitë e tyre veçanërisht në kujdesin ndaj fëmijëve, duket se kushtet nuk janë të barabarta në disa drejtime. Diskutimi mbi nevojën e tavolinave për ndërrimin e foshnjeve në tualetet e burrave ka kohë që ka nisur në shumë vende të botës. E ndërsa disa mjedise publike e ofrojnë një gjë të tillë, shumë ambjente të tjera kanë të tilla tavolina vetëm në tualetet e grave.

Ndaj është shumë e vështirë për baballarët, apo edhe më keq për nënat, të cilave u bie për detyrë të ndrojnë pelenat fëmijëve. Së fundmi një baba në Texas, SHBA ka postuar një fotografi në Instagram ku tregon se si ia ndërron djalit pelenat për shkak të mungesës së një tavoline në tualetet e burrave. Fotoja jo vetëm që po bën xhiron e globit por ka nxitur debate në rrjetet sociale. Donte Palmer, babai i 3 fëmijëve shfaqet u ulur në gjunjë, mbështetur pas muri ndërsa ka vendosur të birin mbi gjunjë dhe po e ndërron.

“Ky është postim shumë serioz! Si është puna me mungesën e tavolinave në tualetet e burrave, sikur ne të mos ekzistonim. Është e qartë që e bëjmë këtë shpesh, për tim bir tashmë është një rutinë por mund ta shihni sa në siklet është ai”-shkruante Palmer në postimin e tij. “Le ta ndreqim këtë problem. Le të tregojmë inovacionin e baballarëve”.

Sipas Palmer kjo foto tregon një situatë tipike me të cilën ai përballet shpesh kur del me djemtë e tij, të moshave dymbëdhjetë, shtatë dhe 1 vjeç. Shpesh baballarët kritikohen se nuk përfshihen në jetët dhe rritjet e fëmijëve të tyre duke ua lënë këtë detyrë vetëm grave. Por ka dhjetra, qindra apo mijëra baballarë që janë të gatshëm të ndihmojnë dhe marrin përgjegjësitë e tyre, sipas Palmer. Dhe në fakt, ka të drejtë. Nëse flasim për barazi gjinore duhet që burrat të kenë gjithashtu mundësi të barabarta për tu kujdesur për fëmijët.