Sa herë që ftohem në ndonjë panel për të folur për dhunën ndaj gruas, fjalët dhe thirrjet sikur e humbin kuptimin. Sikur e humbasin forcën nën shkëlqimin e dritave të studiove moderne, sepse atje, në terren, situata është ndryshe. Është e pamundur të mos prekesh, mërzitesh, shqetësohesh nga trendi më i fundit në vend. Nuk janë operacionet plastike, as ndonjë makinë apo lokal ekskluziv, por vrasja e grave, feminicidi.
Fjala feminicid (vrasja e gruas) tingëllon pak keq, por duhet përdorur; sepse kjo fjalë definon në mënyrë të saktë një kategori të caktuar të krimit, vrasjen e një gruaje, sepse është grua. Shifrat flasin qartë: që prej vitit 2010 në Shqipëri kanë humbur jetën 106 gra dhe vajza, viktima të dhunës në familje. Gjithmonë sipas të dhënave nga UNDP dhe IINSTAT, që nga viti 2006, raporti i vrasjeve në Shqipëri është 0.7 vrasje për 100 mijë gra. Gra të vrara nga i dashuri, burri, babai, kunati apo nipi. Vrasje si përgjigje ndaj refuzimit apo urdhrit të dhënë e të pa zbatuar.
Me vjen natyrshëm të mendoj për fillimin e vitit të kaluar, i përgjakur si ky vit, gjatë të cilit mora pjesë në, jo një, por dy protesta kundër vrasjes apo dhunës ndaj vajzave dhe grave. Një vit pas ? Asgjë s’ka ndryshuar. Kronikat e lajmeve janë të njëjta.
-31 dhjetor, babai vret dhëndrin dhe vajzën, në shtëpinë e tyre.
-10 janar, nipi i burrit vjedh, përdhunon dhe vjedh gruan e xhaxhait në shtëpinë e saj.
-13 janar, kunati vret kunatën në sy të vajzës.
-1 shkurt, 54 vjeçari vret bashkëshorten në Genova
-2 shkurt, Xhafzotaj, burri vret me thikë gruan në sy të tre fëmijëve
Të rrëqethet mishi vetëm kur i lexon titrat e lajmeve, sepse shtëpia është vërtetë vendi më rrezikshëm për gratë, sepse për burrat e sotëm, gruaja është si shtëpia. Një pronë, një shërbëtore, një pastruese, një dado, e cila duhet të durojë dhunën që të sigurojë vazhdimësinë e lidhjes dhe familjes.
Për të jetuar në një shoqëri të shëndetshme, pa vrasje, pa sopata, thika, prerje gjymtyrësh, duhet që secili nga ne të bëjë punën e vet. Sepse feminicidi është problem kulturor para se të jetë social. Por, ne nuk kemi kohë të presim për një shndërrim kulturor, sepse ai është shumë më i gjatë sesa ngjarjet për të cilat po flasim, të cilat nuk mund të injorojmë. Sepse nuk mund të injorohet ajo ndjenjë e fortë dhimbjeje, apo ajo ndjenjë e fortë frustrimi që të kaplon kur nuk mund të bësh asgjë kundër padrejtësive.
Duhet të veprojmë të gjithë, sepse apatia apo indiferenca, ose fjalia “ nuk më intereson”, thellon akoma më shumë stereotipin dhe dhunën. Dhuna na përket të gjithëve, sepse është një pasqyrë e deformuar që na thërret për ballafaqim. Shoqëria civile, shteti, vullnetarët, institucionet e rendit, sistemi shkollor, të gjithë aktorët duhet të ndërhyjnë, sepse potenciale të ndryshme, strukturojnë resurset duke i dhënë mundësinë secilit të bëjë pjesën e vet.
ZHAKLIN LEKATARI/Revista Living