Shaqe Marie Çoba, ja kush është feministja e parë shqiptare

226

E sigurt që keni dëgjuar për Musine Kokalari, Ollga Pllumbin, Selfixhe Ciun, Afërdita Asllanin apo Mirela Prelën. Janë pesë publicistet shqiptare të viteve 1930-1940 që konsiderohen edhe ndër feministet e para, të cilat dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për fuqizimin dhe emancipimin e gruas shqiptare.
Por ka një emër që mbase nuk është përmendur shpesh e që konsiderohet si feministja e parë në Shqipëri edhe në rang ndërkombëtar. Bëhet fjalë për Shaqe Marie Çoba, gruaja e parë intelektuale e qytetit të Shkodrës. Sipas Fjalorit Biografik të Lëvizjeve të Grave dhe Feminizmit në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore Çoba ishte themeluesja e organizatës “Gruaja Shqiptare” në 1920 dhe aktiviste e lëvizjeve për mëvetësinë e grave dhe të kombit.
Çoba lindi në Shkodër në 1875 në familjen Shiroka, familje e shquar në jetën shoqërore të qytetit. Filloren e mbaron në Shkodër për të vijuar më pas studimet në Zagreb, në një institut austriak, ku mëson gjuhët italiane, gjermane dhe serbokroate. Pastaj në 1904 zhvendoset dhe përfundon studimet në Venezia. Martesa me Ndoc Çobën do të krijonte një binom të jashtëzakonshëm në veprimtari të ndryshme patriotike dhe intelektuale.
Me 3 Gusht 1920 Shaqja themelon “Gruaja Shqiptare”, drejtuar grave shkodrane të klasës së lartë të interesuara për emancipimin. Habibe Bekteshi, Paulina Leka dhe Albina Ashiku ishin bashkëpunëtoret e saj më të çmuara por edhe me ndihmën e grave të tjera intelektuale shkodrane, ato grumbullonin fonde dhe ndihma për ushtrinë, për vullnetaret dhe gjithashtu për të varfërit dhe të sëmurët në spitale.
Në nëntor e deri në korrik të një viti më pas do të dilte në shtyp “Gruaja Shqiptare”, mjeti i pare ku gratë mund të shprehnin mendimet mbi të drejtat dhe detyrat e tyre. Në këtë botim, trajtoheshin probleme shqetësuese të jetës së gruas, si roli i saj për zhvillimin e përparimin e shoqërisë, të drejtat dhe detyrat e saj, respektimi i të drejtave e lirive të saj, edukimi e arsimimi i fëmijëve, veçanarisht vajzave, etj. Revista arriti të shpërndahet dhe në Tiranë apo në qytete të tjera.
Shaqe Çoba, më 10 Nentor të 1937 bën një riplanifikim të shoqatave të grave në nivel kombëtar me pjesmarrjen e 150 grave, me objektiv luftën kundër zakoneve të vjetra, analfabetizmit, përmirësimin e veshjeve të grave, mbrojtjen e shëndetit të tyre etj. Në vitin 2002 Shaqe Marie Çoba është nderuar me titullin “Naim Frasheri” nga Presidenti i Republikës në atë kohë, Alfred Moisiu.