Revolta e poetes Kaltrina Pacolli: Ne të gjitha mund të jemi viktima, prindër mos i mësoni fëmijët të jenë Zot

64

Pak ditë më parë në Bitch Magazine, moderatorja Rita Behadini ndau me ne emocionet e recitimit të poezisë “Unë, kufoma e ardhshme”, shkruar nga Kaltrina Pacolli. Sot, kjo e fundit ndan me të gjithë lexuesit tanë revoltën që ndjen në lidhje me padrejtësitë dhe pabarazitë gjinore. Si shkrimtare e re, kaltrina është dedikuar që të sjellë në jetë tema që I përkasin përditshmërisë dhe I vuajmë në lëkurën tonë. Poezia “Unë, kufoma e ardhshme” iu drejtohet grave e vajzave të cilat heshtin pas keqtrajtimeve që iu bëhen, pasi nëse flasin ato “thyejnë” moralin e familjes.

Në artikullin më poshtë, Kaltrina Pacolli do ti japë më shumë jehonë zërit të saj që bërtet për të drejtat e grave dhe vajzave, për lirinë e të pasurit një jetë dinjitoze, të qetë e pa frikëra se nesër këo gra do të jenë kufoma.

1.Nga u frymëzove për të shkruar këtë poezi?

U ngulfatëm tashmë nga shumë, e shumë raste të dhunës në familje. Kohën kur shkruajta këtë poezi, në vitin 2018, kishte shumë raste të dhunës në familje që përfunduan me fatalitet. Më kaploi një lloj paniku, ndjenjë stresi nga brenda dhe vetëm pata nevojë ta nxirrja jashtë vetes çdo mendim timin, dhe kështu u bë mendimi i gjithsecilës prej nesh!

2.Si je ndjerë ti si një “kufomë” e dhunës?

Çdo herë brenda nesh do të ekzistojë ndjenja që një ditë mund të bëhemi viktima të dhunës, kufoma të ardhshme. Jo më kot zgjodha titullin “Unë, kufoma e ardhshme”, ndihem sikur kam shumë për t’i thënë me zë të lartë dikujt atje jashtë. Që unë vlej shumë më shumë se sa një “piskamë”, se sa një grindje, dhe vlej më shumë se sa dikush të më shikojë sikur i jam përulur dhe po vdes për t’ia plotësuar egon dhe dëshirat.

“Kufoma e ardhshme” nuk tregon as që gratë bëhen një ditë, deshtën apo nuk deshtën, pronë e dikujt. Mirëpo, kush sot e qëllon, e shkatërron dhe e dërgon në joekzistencë pronën e tij? Këto “kufoma” as prona më nuk mbesin.

3.Si e more vesh që poezia jote mori këtë vëmendje?

Fuqia e internetit është shumë e madhe, dhe të gjithë e dijmë këtë. Poezia mori bujën edhe para videos, por normalisht jo kaq shumë sa pas postimit të videos. Nga rrjetet sociale e pashë që me të vërtetë diçka e madhe do të vijë nga interpretimi i Ritës.

4.Mendove ndonjëherë: Po Rita pse nuk më ka marrë leje për ta recituar poezinë?

Në fakt, jo! Ndjenja e vetme që kisha ishte që poezia ime po bëhej virale, e interpretuar nga një vajzë që dukej e zonja. Unë u rrita mijëra herë nga kjo poezi, me shpirt dhe zemër.

5.E njihje më herët Ritën ose kishe dëgjuar për të, cila është marrëdhënia juaj tani?

Nuk e njihja Ritën më parë, por u njoftuam ditë më pas. Kaluam disa orë së bashku në Tiranë dhe nuk u befasova nga ajo. Ishte po e njëjta që kisha vënë re nga videoja, një vajzë shumë e zonja, e hareshme dhe e sjellshme. Tani kemi marrëdhenie shoqërore, dhe i uroj t’i arrijë majat e suksesit.

6.Sa impakt ka pasur kjo poezi?

Kjo poezi shkoi në vesh të tri shteteve, shumë figura publike e shpërndanë dhe komentuan aq shumë njerëz duke lavdëruar fuqinë e kësaj poezie.

Shumë gra dhe femra të cilat kishin përjetuar dhunën familjare, dhe keqtrajtime të ndryshme më kontaktuan. Kjo më bëri të ndihem keq dhe mirë njëkohësisht. U ndjeva tmerrësisht keq se sa shumë persona gjetën veten në këto vargje, e njëkohësisht shumë mirë që ato e panë që nuk janë vetëm.

7.Cili është komenti i të dashurit tënd për këtë poezi?

I dashuri, Emiri, është njëri nga personat më të afërt që më mbështet me gjithë fuqinë, dhe më inspiron në të gjitha shkrimet e mia.

Nëpër rreshtat e kësaj poezie ai pa një anë timen ku nuk flisja me dashuri dhe pasion për partnerin, por po iu kundërvihesha. Dhe atij i pëlqeu secila pjesë, tashmë ka ilustruar disa nga vargjet e poezisë, dhe së bashku do të sjellim projektin “Unë, kufoma e ardhshme” në mënyrën më të mirë që kjo poezi meriton.

8.A ziheni ju për të drejtat vajzë/djalë?

Thënë të drejtën kohëve të fundit jo! Mirëpo në rastin e parë që më bëhet mua, apo dikujt që unë njoh, apo rastisi të jem e pranishme ku të drejtat e një vajze janë duke u shkelur për të drejtat e një djali, atëherë me padyshim që do të reagoj.

9.A je ndjerë ndonjëherë e dhunuar ose a ke parë një grua të dhunohet, keqtrajtohet? Si ke reaguar?

Shpesh herë ndjehemi të dhunuara edhe psiqikisht dhe nuk e trajtojmë aspak këtë si problem serioz. Shpesh herë më ka ndodhur të ec me hapa të përshpejtuar rrugës, apo edhe ne ambiente të punës jam detyruar të sillem ndoshta më ndryshe se si është natyra ime, që t’i thumbojë kufiri i hapësirës sime me të tjerëve, dhe kështu bën cdo vajzë! Reagimet tash janë bërë më të zhurmshme, dhe gëzohem për këtë. Më vjen keq që akoma duhet reaguar që dikush të të trajtoj në mënyrë të duhur!

10.Sa e kënaqur je me respektimin e te drejtave gjinore në vendin tënd?

Epo, vendi im ishte pikë së pari arsyeja pse unë shkruajta këtë poezi. Të drejtat gjinore, aty ku mendohet se ka, shpesh herë bëhen sa për sy të tjerëve, dhe këtë e dijmë mirë të gjithë.

Duhet punuar shumë në këtë aspekt, dhe nuk është e pamundur.

11.Çfarë kërkon të bëhet më shumë?

Punë, shumë më shumë punë dhe mirëkuptim. Duhet më shumë mbështetje, dhe nuk po flas për mbështetje që të nesërmen bie në humnerë. Jemi popull që mund të arrijmë shumë gjëra bashkë dhe gratë mund të ndihmojnë jashtzakonisht shumë në krijimin e një vendi ideal. Duhet kushtuar vëmendje protestave të grave, fjaëve se cfarë kanë për të thënë, nevojave dhe dëshirave, se nuk janë të paarritshme, dhe nuk janë të kota.

12.Nje mesazh për të gjitha grate dhe vajzat shqiptare.

Një mesazh gjithpërfshirës për familjet tona:

Nëna dhe Baballarë, ju lutem mos i mësoni fëmijët tuaj të jenë “Zoti”, se nuk janë.

Se një ditë ky “Zoti” do mendojë që ka të drejtë mbi jetën e dikujt tjetër, do marrë ëndërrat dhejetën e një vajze, një gruaje, një nëne..

Një ditë ky “Zoti” do marrë jetën TUAJ!

Eshtë tejet i rëndësishëm edukimi i hershëm i fëmijëve, të kenë respekt dhe mirësi.

Mirëpo, nëse jeni viktimë e dhunës në familje, nga partneri juaj, nga dikush që ju njihni, ju lutem me gjithë shpirtin bëhu TI – Zot i vetvetës!

Bitch Magazine/Agida Koçi