Psikiatri : Burrat në Shqipëri rriten keq, vrasin se po humbin armën e nënshtrimit

217

Mjeku i njohur psikiatër, Neli Demi, thotë se, një nga problemet kryesore që sjell vrasjen e grave nga burrat është fakti se, meshkujt rriten keq. Pavarësisht zhvillimit ekonomik të vendit, z. Demi gjatë një interviste për Euronews Albania, u shpreh se ndryshimi i këtij mentaliteti do të kërkojë shumë kohë.

“Te kjo sjellje ndikon mënyra se si individët e shoqërisë sonë janë edukuar dhe janë rritur. Kryesisht meshkujt në Shqipëri rriten keq. Ndryshimet e mentalitetit të një shoqërie kërkojnë shumë më tepër kohë për t’u arritur. Mentaliteti ndryshon shumë ngadalë, dhe duhen breza për të sjellë një ndryshim cilësor”, u shpreh psikoterapisti i njohur.

Fakti që sot ka më shumë dhunë ndaj grave se sa në vitet e para të demokracisë, sipas z. Demi vjen për shkak se në ditët e sotme, vajzat dhe gratë kanë më shumë mundësi për të krijuar pavarësi ekonomike dhe individuale.

Pikërisht humbja e kësaj arme të nënshtrimit, sjell agresivitet nga ana e meshkujve që kërkojnë të ruajnë pozicionin që kanë pasur deri tani në familje dhe shoqëri, ku ata vendosin për gjithçka.

“Pavarësia ekonomike ndikon shumë në lirinë personale të individit. Nga ndonjëherë pavarësia ekonomike e grave sjell një agresivitet të shtuar nga ana e meshkujve, që përfundojnë në vrasje. Mundësitë më të mëdha që kanë gratë në ditët e sotme, mund të ketë sjellë rritje të agresivitetit si përgjigje nga meshkujt nga burrat.

Pasi një nga armët e nënshtrimit që meshkujt përdorin është pikërisht varësia ekonomike që gratë dhe fëmijët kanë ndaj tyre dhe kjo i bën në një farë mënyrë një lloj patriarku ku ata vendosin për gjithçka. Kur arrihet një pavarësi nga gratë, kjo shoqërohet dhe me rritje të kërkesave të tjera”, u shpreh z. Demi.