Pro abortit, Ariana Grande dhuron 250 mijë dollarë për “Planifikimin Familjar”

21
Mandatory Credit: Photo by Paul Sancya/AP/REX/Shutterstock

Ariana Grande ka vendosur të protestojë me para ndaj valës së fundit të ligjeve kundër abortit që janë miratuar së fundmi në disa shtete amerikane. Këngëtarja e famshme ka dhuruar të gjitha fitimet nga koncerti i saj i fundit në Atlanta, kryeqyeti i Xhorxhias, për Federatën Planifikimi Familjar. Bëhet fjalë për një donacion prej 250 mijë dollarësh, siç raporton revista “People”.

Dr. Leana Wen, presidente e Federatës Planifikimi Familjar i Amerikës deklaroi për CNN se ky donacion bujar i Ariana Grande vjen në një moment kritik në Xhorxhia dhe në gjithë vendin, ku politikanë kundër shëndetit të grave po përpiqen të ndalojnë kryerjen e procedurës së ndërprerjes së shtatzënisë, pra abortin e ligjshëm.

“Kjo nuk është ajo çfarë populli amerikan dëshiron. Falë mbështetjes frymëzuese të Grande, “Planifikimi Familjar” do të vazhdojë të luftojë në gjykata, në Kongres apo në Dhomat e Përfaqësuesve të shteteve amerikane por edhe në rrugë kundër këtyre sulmeve të rrezikshme ndaj shëndetit dhe jetës së njerëzve”-tha Wen.

Guvernatori i Xhorxhias Brian Kemp nënshkroi në 7 maj të këtij viti të ashtuquajturin ligji “rrahje zemre” që ndalon çdo abort me dëgjimin e rrahjes së parë të zemrës së fetusit, që ndodh që në javën e 6-të të shtatzënisë.

Shumë personalitete të Hollivudit kanë protestuar ndaj këtij ligji duke kërcënuar madje se do të mbyllin prodhimin e filmave dhe shfaqjeve televizive që përbëjnë nj biznes fitimprurës për shtetin juglindor amerikan. Ndërsa disa të tjerë kanë premtuar se do të mbështesin të gjithë ata që luftojnë këtë ligj.