“Pornografia për hakmarrje” tashmë një krim në Itali, deri në 6 vite burg

136

“Pornografia për hakmarrje” tashmë është një krim në Itali dhe ata që e kryejnë do të dënohen deri në 6 vjet burg ose gjoba deri në 15 mijë euro. I shndërruar në një ligj nga parlamenti Italian, i ashtuquajturi projektligji “Kodi i kuq” do të dënojë të gjithë ata që shpërndajnë imazhe apo video seksuale të dikujt tjetër pa aprovimin e personit që është në këto imazhe.
Bëhet fjalë për një ndryshim të rëndësishëm ne legjislacion që ka si qëllim të mbrojë gratë dhe vajzat nga dhuna dhe kërcënimet. Dënime edhe më të larta do të jepen për ato raste kur materialet e shpërndara bëhen nga ata që janë apo kanë qenë në një marrëdhënie apo të martuar.
Imazhet e grave shtatzëne apo me aftësi të kufizuara parashikon gjithashtu ndëshkime më të rënda. Sipas aktivistes Vittoria Gheno e cila ka luftuar për këtë ligj, thotë që ai mbron së pari gratë. “Ka ende një betejë feminist në shumë mënyra sepse shoqëria është ende patriarkale”-u shpreh ajo.
Organizata e Gheno, “Insieme in Rete” (Bashkë ne rrjet) nisi një peticion bashkë me disa organizata të tjera 5 muaj më parë duke kërkuar pikërisht kriminalizimin e të ashtuquajturës “Pornografia për hakmarrje”.
Peticioni mblodhi 120 mijë nënshkrime dhe vëmendjen e Laura Boldrini, ish kryetares së Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian. Falë edhe rrjeteve sociale, peticioni tërhoqi vëmendjen e medias dhe politikanëve italianë.
Nëna e Tiziana Cantone, një viktimë të “Pornografisë së hakmarrjes” që kreu vetëvrasje në vitin 2016 ishte e pranishme në votimin në parlament. “Të luftosh këtë fenomen të tmerrshëm nuk është çështje politike por civilizimi”-tha ajo.
Ndërsa Vittoria Gheno shpreson që kjo të jetë vetëm pikënisja për ndryshime të mëtejshme për të mbrojtur viktimat e dhunës, kërcënimeve apo përndjekjes.