Përdhunuesit kanë emra dhe fytyrë, shpërthejnë protestat kundër krimit

582
Foto nga News31.al

Dita e sotme nisi me një foto me mbishkrimin “Përdhunuesit kanë emra dhe fytyrë”. Ata janë Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nike Lleshi dhe A. Gj 17 vjeç, të gjithë të arrestuar si të dyshuarit për përdhunimin e një 15 vjeçareje në një fshat të Mirditës.
Personat e sipërpërmendur janë akuzuar nga familjarët e vajzës se ata kanë kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirë me të miturën. Fillimisht 32 vjeçari Artan Kaçorri e ka mashtruar të miturën duke i bërë një video, nëpërmjet të cilës e ka shantazhuar më pas duke i kërkuar të kryente marrëdhënie seksuale edhe me shokët e tij.

Emrat e abuzuesve janë shpërndarë nga shumë poste në rrjetet sociale ndërsa nesër e të dielen mendohet të ketë protesta e marshime në Lezhë e Tiranë. Dje në mbrëmje, grupimi i vetëquajtur “Kolektivi feminist” njoftoi se të premten, pra nesër në Rrëshen, në qytetin ku ka ndodhur ngjarja, do të zhvillohet një protestë.

Do jemi në Rrëshen për t’i thënë të gjitha vajzave dhe grave që jemi me ju, jemi bashkë kurdo që ju duhet zë, jemi e do jemi bashkë deri kur ta zhbëjmë patriarkatin, derisa ta zgjojmë komunitetin nga apatia, si dhe derisa ta zhdukim misogjininë institucionale që shtrihet në çdo damar të pushtetit!”, tha për Historia Ime Irena Beqja Shtraza, nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN).

Dhuna seksuale, vijon më tej Shtaza, është ndër format e dhunës më pak të raportuar, pasi shoqëria ua drejton gishtin viktimave dhe i del në krah agresorit. “Dhuna seksuale është forma e dhunës më pak e raportuar ne vendin tonë. Vajzat dhe gratë kanë frikë dhe turp ta raportojnë sepse shoqëria ia drejton gishtin dhe vesh fajin po atyre që janë viktimat në këtë mes!”